Telegrafi

Heqja e vizave për bartësit e pasaportës serbe që jetojnë në Kosovë, Tahiri: Goditje e madhe ndaj shtetit tonë

Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka reaguar pasi Këshilli i Bashkimit Evropian ka vendosur në favor të heqjes së regjimit të vizave për qytetarët serb të Kosovës, të cilët posedojnë pasaporta të Serbisë.

Tahiri në reagimin e tij thotë se ky vendim është një goditje e madhe ndaj shtetit tonë, transmeton Telegrafi.

“Njohja e pasaportave të lëshuara nga institucionet e Serbisë nga ana e BE-së, për një numër të qytetarëve tanë, paraqet një precedent të rrezikshëm dhe një goditje e madhe ndaj shtetit tonë. Ky veprim përligj dhe legjitimon një autoritet të huaj dhe saboutes, dhe si i tillë lejon goditjen dhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në sovranitetin institucional të Republikës së Kosovës nga ana e strukturave serbe. Kjo, nuk ka asgjë të bëjë me të drejtat e njeriut dhe as me ofrimin e mundësive të barabarta, sepse ato i ofron Kosova në nivelin më gjithëpërfshirës dhe më ekskluziv për serbët e Kosovës”, ka pohuar ai.

Më tej, ai ka kritikuar edhe pushtetin, duke thënë se vendimi është marrë pasi që krerët e shtetit ishin duke u marrë me popullizëm

“Kjo nuk ndodhi në një ditë, kjo ndodhi sepse kjo qeveri ishte e zënë me populizëm, me luftimin e mediave të lira, me ngulfatjen e demokracisë, duke mos pasur kohë për informim dhe afirmim të pozicioneve tona shtetërore në instancat e BE-së. Kjo ndodhi sepse krerët tanë institucional, ishin të zënë me ping pongun me temën e asociacionit. Harruan se Serbia vepron hapur dhe në fshehtësi”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Ndryshe, para disa ditësh, Këshilli i Bashkimit Evropian ka vendosur në favor të heqjes së regjimit të vizave për qytetarët serb të Kosovës, të cilët posedojnë pasaporta të Serbisë.

“Këshilli miratoi një rregullore që siguron që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor t’i nënshtrohet të njëjtit regjim vizash, duke hequr përjashtimin e aplikuar më parë për mbajtësit e pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe”, thuhej në njoftim.

Vendimi i Këshillit të Bashkimit Evropian ka nxitur reagime në vend, ndërsa kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ato pasaporta vazhdojnë të mbesin ilegale./Telegrafi/