Site icon Telegrafi

Heqja e urdhërarrestit ndaj Radoiçiqit, ish-hetuesi i Policisë: Kryeprokurori Isufaj mund të ketë qenë i ndikuar nga opozita

Ish-hetuesi policor në veri, Murat Mehmeti deklaratën e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj se kishte dhënë pëlqimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj Milan Radoiçiqit, por që s’mund t’i bëjë publike arsyet për shkak të hetimeve e ka cilësuar si “anomali” në aspektin juridik.

Mehmeti ka thënë se është e palogjikshme juridikisht që të gjithë ata që dyshoheshin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit janë mbajtur në arrestim ndërsa urdhërdhënësi të mos jetë në paraburgim.

“Juridikisht është e palogjikshme, të gjithë që janë mbajtur në arrestim që dyshohen se e kanë ndihmuar për vrasje ose diçka e tillë, ndërsa urdhërdhënësi të mos jetë i arrestuar. Është anomali në aspektin juridik”, ka thënë Mehmeti, për RTV Dukagjini.

Ai thotë se për këtë deklaratë ndoshta Isufaj mund të ketë qenë i ndikuar nga opozita.

“Nuk e besoj që ka pasur qëllim të krijojë mjegulli më shumë sesa që ka dosje, ndoshta është i ndikuar nga opozita, mund të ketë barrë politike”, ka vijuar ai.

Sipas tij, qeveria nuk duhet të ndërhyjë në hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit e as në rastin e sulmit të 24 shtatorit në Banjskë.

Ndërsa në anën tjetër, ish-zv.sekretari në Ministrinë e Drejtësisë, Ardian Bajraktari ka thënë se deklarata e Isufajt e mjegulloi opinionin publik.

“Deklaroi në formë të mllefit sikur po komunikonte me ndonjë institucion, kam përshtypjen se e mjegulloi opinionin, nuk dha informata të arsyeshme për hir të publikut” ka thënë ai.

Sipas tij, nuk përjashtohet mundësia që kjo të jetë një taktikë që të bëhen hetime e vëzhgime të mëtutjeshme.

“Mund të kemi masa të fshehta, hetime e vëzhgime varësisht prej asaj si e ndërtojnë çështjen”, ka vijuar ai.

Lexo po ashtu Kryeprokurori Isufaj pranon se pa miratimin e tij nuk do të kishte ndodhur heqja e urdhërarrestit ndaj Radoiçiqit në vitin 2021

Kryeprokurori Blerim Isufaj në një konferencë për media ka treguar se urdhërarresti për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq ishte tërhequr për një kohë në vitin 2021.

Isufaj ka thënë se tërheqja e urdhërarrestit është bërë me miratimin e tij, por që nuk mund të tregojë arsyet se pse ka ndodhur ajo

“Është çështje e brendshme e prokurorisë, ne nuk mund të ndajmë shumë detaje. Ai nuk ka qenë kurrë në paraburgim, është tërheq për një kohë urdhërarresti, por më pas i është kthyer”, tha ai.

I pyetur nga gazetarët se a ka qenë në dijeni për heqjen e urdhërrestit ndaj tij, ai konfirmoi se pa miratimin e tij nuk do të kishte ndodhur.

“Pa miratimin tim nuk do të kishte mundur të ndodhte, pa arsyet nuk mund t’i jap. Nuk mundet opinion të i dijë të gjitha”, theksoi Isufaj para mediave.

Ndryshe, Blerim Isufaj është i nominuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të Shtetit, por deri tash ka pasur përplasje të vazhdueshme me liderët shtetërorë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka refuzuar dekretimin e tij.

Më 19 shkurt 2021, Prokuroria Speciale kishte kërkuar revokimin e urdhërarrestit ndaj Radoiçiqit ndërsa gjykata e kishte aprovuar këtë kërkesë më 23 shkurt 2021.

Urdhërarresti ishte lëshuar në gusht të 2020-ës nën dyshimin se Radoiçiq ishte pjesë e një grupi të organizuar kriminal lidhur me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.

 

 

Exit mobile version