Site icon Telegrafi

Haziri: Takimi i djeshëm me Kurtin ishte i vonshëm – Qeveria po i fsheh dështimet prapa negociatave me Serbinë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, në një intervistë në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, e ka quajtur të vonshëm takimin e djeshëm me kryeministrin Albin Kurti, i cili ftoi liderët opozitarë për t’i informuar lidhur me dialogun me Serbinë.

Ky takim u mbajt gati dy javë pas përfundimit të atij që Kurti zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

E sipas Hazirit, vonesa e kreut të ekzekutivit në informimin e opozitës për këtë takim dëshmon një problem evident në Kosovë – “politika nuk zhvillon dialog të brendshëm, as me opozitën e as shoqërinë civile”.

“Qytetarët dhe Kuvendi i Kosovës janë të painformuar për procesin e dialogut me Serbinë. Por, më mirë vonë se kurrë. Ne u ftuam në atë takim dhe shkuam pasi dialogu është një proces shumë i rëndësishëm për vendin. Është një proces shumë i rëndë”, u shpreh ai.

Lexo po ashtu Haziri: Për herë të parë po kërcënohet paqja sociale në Kosovë – Qeveria Kurti po punon sot për nesër

Haziri komentoi edhe deklaratat e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut, dhënë para mediave dje se për takimin në Bruksel mes Kurtit e Vuçiqit kanë marrë më shumë informacione nga ndërmjetësuesit evropianë.

Ai u shpreh se “kemi marrë informacione për atë takim nga kryeministri Kurti aq sa ai e ka parë të arsyeshme të ndajë me ne”.

Në këtë intervistë, nënkryetari i LDK-së po ashtu akuzoi Qeverinë e Kosovës për “fshehje të dështimeve të saj prapa negociatave me Serbinë”, ndërsa kryeministrin për ndryshim të qëndrimeve nga opozitar kundërshtues në pushtetar pranues dhe bashkëpunues me Serbinë.

“Unë nuk besoj në finalen e madhe të problemit me Serbinë. Tash e 10 vjet kam thënë se shkojmë drejt një zgjidhje të një procesi që do t’i normalizojë raportet për një periudhë”, deklaroi mes tjerash Haziri.

“Negociatat me Serbinë është problemi prapa të cilit po fshehët Qeveria Kurti. Krejt dështimet dhe vonesat në politikën e brendshme po fshehën prapa dialogut. Kryeministri opozitar ka qenë protestues, kundërshtues, rezistues e mosbesues, ndërsa tani është bashkëpunues, negociator dhe pranues”.

Lutfi Haziri gjatë intervistës në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com

Takim të vonshëm atë të thirrur nga shefi i qeverisë e quajti dje edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Pasi përfundoi takimi, ai në një deklarim para mediave tha se ato që ua tregoi kryeministri Kurti, i kanë dëgjuar paraprakisht nga ndërmjetësuesi ndërkombëtar.

“Konsideruam që kjo ftesë është e vonshme pasi vjen dy javë pas takimit në Bruksel. Në ndërkohë, partitë opozitare janë informuar në detaje nga ndërmjetësuesi ndërkombëtar në masë më të thellë se sa që nga informoi sot kryeministri Kurti. Ai bëri sot një prezantim të gjashtë pikave të cilat tashmë janë të njohura për publikun”, deklaroi i pari i LDK-së.

Ai tutje shprehu qëndrimin e LDK-së lidhur me dialogun, duke thënë se kryeministri Kurti duhet të tregohet i guximshëm dhe të shkojë në dialog për të kërkuar marrëveshje finale me njohjen reciproke në thelb të saj.

“Ne besojmë që dialogimi i copëzuar është në interes vetëm të Serbisë. Prandaj, sa më shumë që Kosova merret me marrëveshje teknike, ushqehen interesat e Serbisë. I kërkojmë kryeministrit që të jetë i guximshëm dhe të shkojë në dialog për të kërkuar marrëveshje finale me njohje reciproke ne thelb të saj, me respektim të Kushtetutës dhe respektim të integritetit territorial në thelb të saj. Është në dorë të kryeministrit që të bëjë këtë që është obligim i tij”, deklaroi Abdixhiku.

Po ashtu, tha se Kurtit i kanë kërkuar që të raportojë në Kuvend të Kosovës para se të shkojë në dialog dhe pasi që të kthehet.

“Dhe ai u pajtua për këtë. Përtej kësaj, presim që procesi i dialogut të marrë hapa të rinj zhvillimor dhe të sigurojë njohje sa më parë”, theksoi Abdixhiku, duke shtuar se kjo duhet të bëhet në rrugëtim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi sipas tij duhet shfrytëzuar momentumi politik me administratën e presidentit Joe Biden. /Telegrafi/

Exit mobile version