Telegrafi

Haziri për Deklaratën për të Zhdukurit: Kurti e përdori politikisht plagën më të madhe të Kosovës për të mbuluar draftimin e Asociacionit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lufti Haziri, në një intervistë në “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ka thënë se miratimi i djeshëm i Deklaratës për të Zhdukurit, është përdorur politikisht nga ana e kryeministrit Albin Kurti.

Haziri shtoi se kryeministri Kurti e përdori plagën më të madhe të Kosovës, për të mbuluar çështjen e draftimit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Plaga më e madhe e Kosovës dje është përdorur për të mbuluar çështjen e draftimit të statutit të Asociacionit, që është problemi më i madh në Kosovë. z.Kurti është fshehur pas plagës më të madhe dje, dhe kjo është ajo e keqe që ka ndodhur në raport me personat e zhdukur me dhunë. Politikisht është shfrytëzuar kjo çështje”, tha ai.

Ai shtoi se Kosova nuk e ka arritur qëllimin që kishte në terminologji të kësaj deklarate.

“Në terminologji një vit është vonuar për adaptim sipas kërkesës dhe propozimit të Kosovës kjo arritje e kësaj marrëveshje dhe përfundimisht nuk është arrit ai qëllim. Kemi në lloj barazie, amnistie të Serbisë në raport me personat e zhdukur me dhunë sepse Kosova tani obligohet se afro 600 raste që vijnë nga pakica serbe, rome, dhe një numër i vogël i shqiptarëve etnik që kanë punuar për sistemin okupues të ofrojnë informacione”, tha Haziri.

 

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri gjatë intervistës në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com /Foto: Ridvan Slivova

Numri dy i LDK-së, më tej shtoi se Serbia në këtë rast njihet si një lloj fituese e vogël.

“Kjo e lidhë me atë marrëveshjen për hapjen e arkivave të UÇK-së ku zotëri Bislimi ka ‘rrëshqitr politikisht në ato bisedime, duke u siguruar se do të ndodh e në fakt nuk ekzistojnë. Kjo është vështirësi serioze për Kosovën sepse Serbia që disa vite e mban peng këtë proces duke kërkuar informacione për këto raste të tij. Serbia në këtë rast njihet një lloj fituese e vogël në këtë raport”, u shpreh Haziri.

Ai shtoi se ky proces do të vazhdoj të mbahet peng sikurse deri tash sepse Serbia insiston në ndarje të informacionit nga ana e Kosovës.

Lexo po ashtu BE publikon Deklaratën për të Zhdukurit, të cilën e miratuan Kurti dhe Vuçiq

“Pritjet janë rrit në Serbi se Kosova ka informacione dhe arkiva të UÇK-së që lidhen me këtë kategori të zhdukurve që janë afërsisht 600, unë jam për barazi që viktimat të shfajësohen që të ndahen informacionet, por nuk mund të ketë barazi tek ajo që Serbia ka shkaktuar tek ne në Kosovë”, deklaroi Haziri.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri gjatë intervistës në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com /Foto: Ridvan Slivova

Gjatë kësaj interviste nënkryetari i LDK-së ka folur edhe për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe proceset tjera që e presin Kosovën. /Telegrafi/