Nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka folur për zhvillimet e fundit politike që lidhen me emrat e ministrave.
Haziri, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se në LDK ka pasur diskutime për emrat e gjashtë ministrave, por sipas tij nuk ka pasur përplasje.
Ai ka thënë se janë përmendur 15 emra për ministra, por vetëm 6 kanë mundur të zgjidhen.
Nënkryetari i LDK-së thotë se në LDK janë duke u analizuar edhe emrat e 13 zëvendësministrave që do të vijnë nga kjo parti.
Haziri ka thënë se i qëndron atij mendimi që Kurti duhet të shkojë të bëjë nderime te varri i Rugovës, por sipas tij nuk ka dashur që ta pengojë koalicionin.
Ai ka thënë se politika e LDK-së është njëra prej arsyeve pse janë zgjuar në protesta Vetëvendosje.
Haziri ka thënë se megjithatë nëse Kurti nuk e ndjen vizitën te varri i Ibrahim Rugovës nuk ka nevojë të improvizojë politikisht e ta bëj atë vizitë.
Kryetari i Gjilanit ka thënë se LDK ka vendosur që ministra të bëhen kryesisht deputetët që kanë fituar më së shumti vota.
Duke komentuar zhvendosjen e fotografisë së Presidentit Thaçi në ambientet e Kuvendit, Haziri ka thënë se Osmani vetëm se e kishte vendosur fotografinë e Rugovës pasi sipas tij atë të Thaçit e kishte zhvendosur Glauk Konjufca.
“Si veprim nuk është dashur të pritet diçka tjetër prej Vjosës…Edhe mua më ka penguar sepse në ditën e parë kur ka shkuar kryetari i Kuvendit i PDK-së në vitin 2008, ka larguar fotografinë e Ibrahim Rugovës”, tha ndër të tjera Lutfi Haziri./Telegrafi/