Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri në një deklaratë për Telegrafin tha dy partitë politike, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje janë duke i shqyrtuar ofertat e dyanshme për ndarjen proporcionale të pozitave institucionale dhe pastaj liderët e dy partive, Isa Mustafa dhe Albin Kurti do të vendosin për takimin e radhës.
Haziri më tej tha se LDK nuk ka kërkuar asnjë pozitë specifike, por është e interesuar që ndarjen e pozitave institucionale dhe rolin e vet ta ketë në proporcion me votat në Kuvend.
“Oferta janë të dyanshme… Tash të dy partitë i vlerësojnë ofertat dhe liderët e caktojnë kohën dhe vendin e takimit… Pra, ka të bëjë me pakon e marrëveshjes, e cila e tëra mund të përmbyllet nëse palët pajtohen në ndarjen e përgjegjësive të pozitave institucionale”, u shpreh për Telegrafin, Lutfi Haziri.
Ai tha se takimi i radhës mes Mustafës dhe Kurtit mund të ndodhë pas shqyrtimit të këtyre ofertave. /Telegrafi/