Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se ka qenë rrugë e vështirë deri në finalizimin e koncept-dokumentit për Vettingun.
Ajo këto komente i tha gjatë takimit me anëtarët e Grupit Punues për Vettingun, derisa shprehi keqardhje që në këtë takim nuk ishin pjesëmarrës përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial.
“Prej që kemi nisur punën në këtë proces të rëndësishëm, sa kemi punuar në hartimin e koncept dokumentit për Vettingun e po ashtu edhe në amendamentet kushtetuese kemi pasur debate e ballafaqime të shumta, dhe secila prej tyre i ka ndihmuar reformës në drejtësi. Në këtë drejtim tani pas pranimit të opinionit të komisionit të Venecias jemi në rrugën për ta përmbyllur reformën në drejtësi. Të gjithë ne nuk do të mund t’i arrinim rezultate pa një bashkëpunim të mirë. Ne jemi të interesuar të bashkëpunojmë me institucionet e drejtësisë dhe më vjen keq që nuk janë të pranishëm përfaqësuesit nga Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial”, tha ajo.
Haxhiu shtoi se procesi i Vettingut nuk ka të bëjë me emra të përveçëm.
“Duke qenë që jam shumë e interesuar ta kem këtë bashkëpunim dhe bashkërisht ta adresojmë reformën në drejtësi, sepse kjo nuk bëhet kundër emrave të përveçëm mirëpo ka për qëllim që ta kthemë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë, ne sërish do ti ftojmë ata që të jenë pjesë e grupeve tona punuese dhe të japin kontributin e tyre”, tha Haxhiu.
Ministrja theksoi gjithashtu se do të mbajë takime edhe me liderët opozitarë sa i përket këtij procesi.
“Ne kemi një draft të ndryshimeve Kushtetuese dhe pas përmbylljes ne do t’ia procedojmë qeverisë e me votim të qeverisë edhe kuvendit. Shumë shpejt do të kemi me bisedime me liderët opozitar dhe do të kemi takime edhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë. Jam e interesuar të kemi bashkëpunim me partitë politike. Konsideroj që opozita të jetë pjesë e këtyre ndryshimeve. Reforma në drejtësi është prioritet i qeverisë dhe ministria po angazhohet fuqishëm. Reforma nuk bëhet për emra të përveçëm por ka për qëllim ta kthej besimin e qytetarëve në reformën e drejtësisë. Besoj do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për takim”, u shpreh Haxhiu.
Haxhiu ka thënë se e kanë të pamundur ta procedojnë Vettingun për në Kuvend para muajit korrik. /Telegrafi/