Telegrafi

Haxhiu: Unë do të jem në mbledhjen e Kryesisë, edhe anëtarët tjerë që kanë dhënë dorëheqje ta rishqyrtojnë vendimin 

Deputetja e lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se javën e kaluar Kryesia e VV-së ka marrë vendim që të gjithë anëtarët që kanë dhënë dorëheqje nga Kryesia, të shqyrtojnë vendimin e tyre me mundësinë e rikthimit dhe kjo sipas saj është një vendim i drejtë.

Haxhiu thekson se meqë janë duke kaluar në një periudhë jo të lehtë, është e qartë se sfidat nuk rregullohen duke hequr dorë por duke u angazhuar drejtpërdrejtë e aktivisht.

Lexoni të plotë postimin e Haxhiut në Facebook:

“Javën e shkuar, në mbledhjen e fundit të Kryesisë është marrë vendim që të gjithë anëtarët që kanë dhënë dorëheqje nga Kryesia, të shqyrtojnë vendimin e tyre me mundësinë e rikthimit.

Duke pasur parasysh rrethanat, unë e konsideroj të drejtë këtë vendim.

Gjatë kësaj kohe Lëvizja ka kaluar në periudha jo të lehta dhe qytetarët në forma të ndryshme na kanë shprehur shqetësimet e tyre mbi atë çfarë po ndodh në Lëvizje.

Meqë jemi duke kaluar këtë periudhë jo të lehtë, është e qartë se sfidat nuk rregullohen duke hequr dorë por duke u angazhuar drejtpërdrejtë e aktivisht.

Dorëheqja ime ka ndodhur në muajin shtator të vitit të kaluar, por sot jam më e qartë se kurrë mbi atë çka ka ndodhur e çfarë po ndodh në Lëvizje, prandaj e kam rishqyrtuar vendimin tim.

Unë do të jem në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë dhe do të angazhohem në zgjidhjen e problemit, kudo në secilin organ dhe mendoj që ata aktivistë e anëtarë që ja duan të mirën Lëvizjes, duhet të veprojnë njësoj sepse këtë ua kemi borxh qytetarëve dhe aktivistëve.

Jashtë demokracisë së brendshme dhe organeve të zgjedhura vendimmarrëse nuk mund të ketë asnjë lloj zgjidhje për cilëndo sfidë.

Gjatë javëve në vazhdim, ne na presin sfida të mëdha përfshirë këtu demarkacionin e Gjykatën Speciale dhe vetëm duke u përpjekur bashkërisht, ndalohen projektet e dëmshme për vendin dhe Lëvizja rritet e fuqizohet!”. /Telegrafi/