Site icon Telegrafi

Haxhiu: Do të ndiqen me përpikëri rekomandimet e Komisionit të Venecias

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është shprehur e lumtur që Komisioni i Venecias ka dhënë rekomandim pozitiv për uljen e mandatit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe ka dhënë rekomandim pozitiv për ndërprerjen e mandatit për disa anëtarë të KPK.

Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se do të ndiqen me përpikëri rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Jam shumë e lumtur që Komisioni i Venecias, përmes opinionit i cili tashmë është publik, ka dhënë rekomandim pozitiv për uljen e mandatit të anëtarëve të KPK, nga 13 në 7 e po ashtu ka dhënë rekomandim pozitiv për ndërprerjen e mandatit, për disa anëtarë të KPK”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo më tej ka thënë se “ne do t’i ndjekim pikë për pikë rekomandimet e Venecias dhe e falënderojmë për bashkëpunimin”.

“E kuptoj që reforma në drejtësi nuk i shkon për shtati as disa portaleve por nuk kemi çfarë t’ju bëjmë përveç se të angazhohemi shumë më shumë deri sa Kosova të jetë shtet i së drejtës”, tha Haxhiu.

Ministrja ka thënë se të premten në orën 10:00, grupi punues vazhdon punën në projektligje.

Juristi Ehat Miftaraj ka thënë sot se opinioni i Komisionit të Venecias është fillimi i reformimit të sistemit prokurorial drejtë një sistemi më llogaridhënës.

Miftaraj në një postim në Facebook shkruan se Komisioni i Venecias ka miratuar kërkesën kryesore të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me reformën në KPK dhe ndërprerjen e mandatit të shumicës së anëtarëve aktual. /Telegrafi/

Exit mobile version