Site icon Telegrafi

Haxhiu takoi ambasadorin Kosnett, flasin për vetingun në drejtësi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka pritur në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett, me të cilin ka diskutuar për prioritetet në fushën e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës.

“Gjatë këtij takimi, Haxhiu shprehu përkushtimin e saj për bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në, gjithnjë në interes të gjithë qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.

Ministrja Haxhiu e njoftoi Ambasadorin Kosnett për ndryshimet dhe reformat që kanë filluar të ndërmerren për fuqizimin e sundimit të ligjit, duke përmendur kështu çështjen e Vetingut, dhe e njoftoi me hapat e parë lidhur me themelimin e grupit të ekspertëve për draftimin e skenarëve për këtë proces”, thuhet në njoftimin për media.

Si prioritete tjera, ministrja Haxhiu përmendi edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e që do të jetë prioritet i Qeverisë për t’i hapur rrugë zhvillimit të vendit si dhe procesin e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit.

Ambasadori Kosnett, uroi Ministren për detyrën e re dhe u shpreh i gatshëm për të kontribuar dhe mbështetur prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë që lidhen me shtetin e së drejtës. /Telegrafi/

Exit mobile version