Pas deklarimit të ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elber Krasniqi, se në disa lokale po refuzojnë t’u shërbejnë qytetarëve nga komunitetet, ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Në një shkrim në llogarinë e saj në Facebook, Haxhiu tha se refuzimi për t’i shërbyer komuniteteve jo shumicë është i papranueshëm.
Ajo theksoi gjithashtu se kjo nuk duhet të ndodhë askund dhe asnjëherë.
“Barazi dhe jodiskriminim”, shtoi ministrja Haxhiu.
Ndërkaq më herët ministri Krasniqi përmes një shkrimi në Facebook, ka bërë thirrje që të bojkotohen lokalet ku nuk u shërbehet komuniteteve.
“Është turp që ende në lokalet e gastronomisë në qytete të ndryshme të Kosovës, në forma të ndryshme refuzojnë t’i shërbejnë pjestarët e komuniteteve dhe bëjnë diferencime! Për një rast të tillë edhe dje me informuan aktivistë nga Gjakova. Gjakova është ndër qytetet shembull për bashkëjetesë dhe rastet e tilla nuk duhet të lejohen të ndodhin”, shkroi ai./Telegrafi/