Telegrafi

Haxhiu reagon pas vrasjes së djeshme në Prishtinë: Edhe sa gra duhet të vriten në mënyrë që institucionet të reagojnë

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka reaguar pas vrasjes që ka ndodhur ditën e diel në Prishtinë, ku dyshohet së një burrë ka vrarë ish-bashkëshorten e tij e më pas veten.

Haxhiu thotë se sikur institucionet të vepronin me kohë, do të mund të parandalohej krimi i rëndë, transmeton Telegrafi.

“Edhe një grua u vra dje nga ish bashkëshorti dhe sipas medieve thuhet se e ndjera kishte denoncuar dorasin në polici me 3 mars të këtij viti. Sikur institucionet të vepronin me kohë sipas përgjegjësive që kanë, do të mund të parandalohej krimi i rëndë ndaj të ndjerës”, ka thënë ajo.

Tutje, Haxhiu ka pyetur “edhe sa gra duhet të vriten në mënyrë që institucionet të reagojnë kundrejt këtyre veprimeve kriminale?”.

“Neglizhenca duhet të ndëshkohet. Nuk mund të vazhdohet tutje kësisoj sepse dhuna në familje NUK është çështje private por është përgjegjësi shtetërore. Ata që neglizhojnë rastet e tilla, duhet të largohen nga sistemi i sigurisë dhe drejtësisë. Nuk mund të ketë vend në sistem për ata që nuk kryejnë detyrat e tyre”, ka thënë ajo në postimin e bërë në Facebook.

Ndryshe, vrasje ka ndodhur në lagjen Emshir në Prishtinë, ku të dy viktimat janë të moshës 44 vjeç. /Telegrafi/