Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas vendimit të Ambasadës së SHBA-së, për tërheqje nga monitorimi i procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorëve dhe anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Haxhiu ka thënë se komunikata e ambasadës së SHBA-së do të duhej të ishte shqetësim për bartësit e sistemit të drejtësisë, transmeton Telegrafi.
“Ne besojmë se këto procese janë rrënjësisht të prishura, vazhdimi i pjesëmarrjes në këtë proces do të mund të keqinterpretohej si përkrahje e këtij sistemi të prishur, ne nuk do të marrim më pjesë në të’, thuhet në komunikatën e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në raport me zgjedhjen e anëtarëve në KPK dhe zgjedhjes së kryeprokurorëve.
Kjo komunikatë do të duhej të ishte shqetësim për bartësit e sistemit të drejtësisë dhe thirrje për reflektim dhe ndalim të grupeve e individëve brenda sistemit prokurorial që nuk ia duan të mirën sistemit por punojnë ditë e natë për t’i shtyer përpara agjendat e tyre të mbrapsht”, thuhet në reagimin e Haxhiut.
Haxhiu ka thënë se “ sot, ende pa u zgjedhur, dihen emrat e kryeprokurorëve dhe anëtarëve të Këshillit”.
“Kjo nuk ka të bëj me meritokraci por fatkeqësisht tregon e dëshmon fuqinë e atyre që as s’do të duhej të ishin pjesë e sistemit të drejtësisë dhe që për vite radhazi i kanë shërbyer kriminelëve e oligarkëve”, vijon reagimi.
Më tej, Haxhiu ka thënë se sa ishin në Qeveri, synimet e tyre ishin të qarta.
“Shteti i së drejtës ishte prioritet i Qeverisë tonë. Vetingu në sistemin e drejtësisë është mekanizëm i domosdoshëm por që punën e mirë e ndalën keqbërësit dhe ata që vodhën vullnetin qytetar”.
“Sot, në seancën e raportimit për 100 ditëshin e Qeverisë, gjatë gjithë kohës Hoti dhe tjerët flisnin kinse për sukseset e tyre si ato me normalizimin e situatës, rikthimin e situatës e partneritetin me ndërkombëtarët etj…por ja që çështjen kryesore që të gjitha raportet e partnerëve tanë ndërkombëtarë e vënë tek sistemi i drejtësisë dhe sundimi i ligjit që me të drejtë thuhet se është rrënjësisht i prishur”.
Ndryshe, Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka njoftuar se është tërhequr nga monitorimi në zgjedhjet e anëtarëve në Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe kryeprokurorët.
Në një njoftim në faqen zyrtare në Facebook, ambasada thotë se tërheqja nga monitorimi është bërë për shkak se këto procese janë “prishur rrënjësisht”.
“Meqenëse përfshirja e mëtejshme e Ambasadës mund të interpretohet keq si miratim i këtij sistemi të prishur, ne nuk do të marrim pjesë. Prokurorët duhet të zgjidhen në bazë të kualifikimeve të tyre, jo përkatësisë politike ose lidhjeve”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-së./Telegrafi/