Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka reaguar deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, e cila në seancën e Kuvendit të enjten kritikoi Deklaratën për Personat e Zhdukur, të nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë më 2 maj në Bruksel.
Hoxha para deputetëve ka thënë se më 2 maj në Bruksel është përmbytur rrëfimi dhe dhimbja e familjarëve të të pagjeturve.
E ndaj kësaj deklarate ka reaguar ministrja Haxhiu, duke thënë se për herë të parë, çështja e personave të zhdukur po trajtohet me prioritet dhe seriozisht nga Qeveria e Kosovës.
“Nënshkrimi i deklaratës për personat e zhdukur e bën Serbinë përgjegjëse për krimin e zhdukjes me forcë të qytetarëve tanë. Për herë të parë, përmes një dokumenti zyrtar Serbia e pranon krimin e bërë dhe obligohet që të japë informacione për varrezat masive ku ende i mban qytetarët tanë dhe po ashtu obligohet që të mos i pengojë gërmimet siç ka ndodhur në vazhdimësi. Me atë deklaratë Serbia pranon krimet shtetërore mbi popullin e Kosovës”, është shprehur ajo.
Haxhiu tutje ka thënë se është e papranueshme që në foltoren e Kuvendit një deputete të thotë se Serbinë nuk e obligon ky dokument.
“Kjo është ajo që Serbia dëshiron të dëgjojë”, ka deklaruar ministrja, duke shtuar se është e papranueshme po ashtu që të mos njihet kontributi i Qeverisë për adresimin e krimeve të luftës.
Sipas saj, ka pasur përpjekje nga qeveritë që janë udhëhequr nga PDK-ja që të amnistohen krimet që Serbia i ka bërë në Kosovë.
Haxhiu gjithashtu ka lëshuar një deklaratë të Hajredin Kuçit, si ministër i Drejtësisë nga PDK-ja që kërkonte amnistim të krimeve të luftës.
“po jem shumë i drejtpërdrejt, për krime lufte nuk e kisha dënuar asnjë njeri. Me pas në dorën dhe fuqinë time. Amnisti bile kisha bërë edhe për palën tjetër sepse për mua çmimi më i madh i luftës për liri është pavarësia dhe krejt këto tjerat janë pjesë e atij çmimi”, dëgjohet duke thënë Kuçi.
E sipas Haxhiut, këtë qasje e ka ndjekur edhe Hashim Thaçi kur e ka udhëhequr dialogun me Serbinë.
“Juridikisht krimet e luftës nuk amnistohen, por politikisht ka pasur përpjekje. Serbia është shfajësuar në kohën kur ju keni qeverisur”, ka thënë ministrja duke iu drejtuar deputetes Hoxha./Telegrafi/