Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pasi deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e paditi për shpifje lidhur me deklaratën e saj se ajo ka marrë 2.500 euro mëditje pa shkuar në Komision për Kompensimin e Viktimave të Krim.
Haxhiu përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se do ta publikojë raportin financiar, i cili siç u shpreh ajo dëshmon që Deliu-Kodra nuk kishte qenë pjesëmarrëse në shumicën e mbledhjeve të Komisionit.
“Për çfarë më paska paditur deputetja Blerta Deliu Kodra? Për të vërtetën? Shumë mirë.
Ne do ta bëjmë publik raportin financiar i cili dëshmon që e njëjta ndonëse nuk kishte qenë pjesëmarrëse në shumicën e mbledhjeve te Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, ishte paguar për këtë në mënyrë të paligjshme”, ka shkruar Haxhiu.
Po ashtu përmes reagimit të saj, Haxhiu theksoi se veprimi i duhur i Deliu-Kodrës do të ishte “Kthim i mjeteve që i ka përfituar paligjshëm”.
“Para disa javëve, për këtë e kam njoftuar me shkrim Kryetarin e Komisionit për Legjislacion dhe po ashtu kam folur publikisht.
Në fakt veprimi i duhur do të ishte kthimi i mjeteve që i ka përfituar paligjshëm”, ka shkruar ndër të tjera në Facebook Haxhiu. /Telegrafi/