Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se është tronditës fakti që fëmijët, vajzat dhe gratë ende nuk janë të sigurt, sepse shtoi se dhunuesit qëndrojnë në liri, nuk shqiptohen dënimet meritore, ende krime të tilla të rënda nuk trajtohen seriozisht dhe ende tentohet të normalizohen, heshtën e harrohen.
Sipas saj, fatkeqësisht ky është ende realiteti ynë i cili duhet të ndryshojë orë e çast, dhe për këtë duhet angazhim serioz i institucioneve bashkërisht por edhe i gjithë shoqërisë.
“Edhe një krim tjetër. Edhe një viktimë. Edhe shumë dhunues të lirë”, shkroi ajo, pas dhunimit të 11-vjeçares nga pesë të dyshuar në Prishtinë, ku katër prej tyre janë arrestuar nga Policia.
Ajo ka ftuar institucionet relevante që të trajtojnë këtë krim të rëndë, duke dëshmuar sa më parë përkushtim dhe rezultat në përndjekje dhe ndëshkim ndaj dhunuesve të të gjitha formave.
“Si Ministri e Drejtësisë, jemi të përkushtuar që të ndërtojmë infrastrukturën më të duhur ligjore, që për aq sa na jep kompetencë ligji, të kryejmë të gjitha detyrat që i kontribuojnë drejtësisë. Policia duhet të sigurojë lirinë e qytetarëve dhe gjykatat duhet të veprojnë, ato nuk duhet ta vështirësojnë tutje jetën qytetare me lirim të kriminelëve”, shkroi ajo në një postim në Facebook./Telegrafi/