“Marre të koftë”, ishte shprehja që për të disatën herë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e përsëriti në seancën e Kuvendit të enjten teksa iu drejtua deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha.
Kjo pasi ky i fundit në foltoren e Kuvendit përmendi rastin e Astrit Deharit duke akuzuar Qeverinë Kurti për ndërhyrje direkte. Ai po ashtu tha se Lëvizjes Vetëvendosje nuk i konvenon zbardhja e këtij rasti, raporton Telegrafi.
Deputeti i PDK-së u pengua të flasë nga ministrja Haxhiu dhe deputetët e VV-së, të cilët në shenjë revolte bënin zhurmë nga ulëset, raporton Telegrafi.
Madje, Haxhiu u ngrit në këmbë duke i thënë Berishës “si nuk të vjen marre me fol për rastin e Astrit Deharit”.
“Juve ua kisha ndalu me ligj me fol për rastin e Astrit Deharit sepse ju keni qenë në Qeveri kur është vrarë Astrit Dehari. Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka qenë në Qeveri. Prandaj, asnjë fjalë për Astrit Deharin! Asnjë zë! Si s’ju vjen marre?”, tha ministrja e Drejtësisë. /Telegrafi/