Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Albulenë Haxhiu, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se PSD është duke iu nënshtruar Hashim Thaçit dhe Qeverisë Haradinaj.
Ajo është shprehur se zgjidhja për të dalë nga kriza në të cilën gjendet vendi janë zgjidhjet, por se sipas saj opozita nuk i ka numrat.
“Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje. Në zgjedhje do të mund të shkonim në disa mënyra. E para me dorëheqjen e Ramush Haradinajt, por ky kryeministër është i lidhur shumë me karrikën e tij. E dyta është mocioni i mosbesimit, dhe tjetra me shpërbërjen e Kuvendit. Për ta pasur mocionin duhen 62 numra, ndërsa ne i kemi 44. Këta të ikurit nga LVV, pra PSD i janë nënshtruar Hashim Thaçit dhe Qeverisë Haradinaj. Këta po ua bëjnë kuorumin në seanca sepse po qëndrojnë aty për mbijetesë politike pasi që mandatet i kanë të vjedhura”, tha Haxhiu
Haxhiu theksoi se PSD ka votuar buxhetin, që sipas saj nuk ndodhë askund që Opozita t’ia votoj buxhetin Qeverisë.
“Ata me votat e tyre ua votuan buxhetin. Një buxhet ku më shumë se gjysma është i dedikuar Ministrisë së Infrastrukturës, e që shkon në asfalt, në kohën kur ka varfëri ekstreme. Pastaj PSD thotë se ne ua kemi lënë votat në zyrën e LDK-së, për ta rrëzuar Qeverinë por askund nuk sheh që Opozita t’ia votoj buxhetin dhe t’ia bëjë kuorumin Pozitës”. ka deklaruar ajo./Telegrafi/