Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë në Qeverinë Hoti, Selim Selimi pasi ky i fundit kishte emëruar këshilltar Enis Qerkën, i cili dyshohej për posedim të 113 kilogramëve drogë.
Haxhiu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se në secilin shtet normal, ministri do të duhej të jepte dorëheqje.
“Për këtë në secilin shtet normal, Ministri do të duhej të jepte dorëheqje. Sot, Ministri që këshillohej nga ai që ishte zënë me 113 kg drogë, paska thënë që pas raportimit në medie e ka liruar nga detyra këshilltarin. Pra meqë mediat paskan raportuar se përndryshe as nuk do të bëhej fjalë për lirimin e tij”, shkruan Haxhiu.
Haxhiu ka thënë se ky është i vetmi këshilltar i emëruar për të cilin nuk është publikuar vendimi, duke shtuar se ministri e ka ditur por nuk u ka thënë jo atyre që e kanë vendosur në krye të ministrisë.
“Si ka mundësi që vendos nënshkrimin për një këshilltar që nuk e di se kush është? Në faqen e Ministrisë së Drejtësisë janë vendimet për këshilltarët tjerë por jo edhe për këtë. Kjo vërteton që Ministri e ka ditur por nuk u thotë JO atyre që e kanë vendosur në krye të Ministrisë”, shkruan Haxhiu.
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka njoftuar se ka liruar nga detyra e këshilltarit, Enis Qerkën, i cili ishte i arrestuar në vitin 2018 nën dyshimin se ishte kapur me 113 kilogramë narkotikë.
Selimi përmes një postimi në Facebook, vetëm pak kohë pasi e emëroi këshilltar Qerkën, njoftoi se po e liron nga detyra atë pas raportimit të medieve. /Telegrafi/