Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës nuk po i jep nënshkrimet për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, pasi që kjo parti dëshiron të jetë pjesë e saj.
Haxhiu ka pohuar se, sjellja dhe arsyetimet e Partisë Demokratike për të mos dhënë nënshkrimet e tyre për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë të iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje janë absurde, transmeton Telegrafi.
“Por vetëm deri në momentin kur e kupton se ky subjekt në fakt nuk është subjekt opozitar. Prandaj nuk sillet si një i tillë. Tjetër shpjegim nuk ka. Kanë kaluar më shumë se tre muaj që nga nisja e mbledhjes së nënshkrimeve të mocionit të mosbesimit ndaj kësaj qeverie. Që atëherë ka arsye, ka nismë, ka thirrje, ka adresë për rrëzimin e qeverisë, por nuk ka nënshkrime të PDK-së. Në vend të tyre ka laritje për t’u bërë pjesë e qeverisë”, ka thënë Haxhiu në reagimin e bërë në Facebook.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi është duke përsëritur kërkesën e tyre për zgjedhje të reja parlamentare, sipas LVV-së, vendit i duhet një qeveri legjitime për të dalë nga kriza që sipas tyre është e shumëfishtë./Telegrafi/