Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se përgjimi i bisedës në mes shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe Sllavko Simiqit nga Lista Serbe, është i paligjshëm dhe u ka bërë thirrje institucioneve të sigurisë që t’i nisin hetimet.
Në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën, Haxhiu ka deklaruar se audio-incizimi i publikuar është tendencë për të shfaqur të deformuar një komunikim që sipas saj, është i prerë, i montuar e i redaktuar.
“Zonja Kusari-Lila e ka sqaruar edhe mbrëmë në tërësi tendencën për të shpërfaqur të deformuar një komunikim që ishte i prerë, i montuar dhe i redaktuar sipas tendencave të tyre. Ju duhet ta kuptoni që Lista Serbe është një parti politike që përfaqëson komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, por fatkeqësisht jo në mënyrën më të keqe”, është shprehur ministrja.
Ajo tutje ka thënë se Lista Serbe në vend që të përfaqësojë qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, ajo po i bindet presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe po merret me shantazhe e kërcënime.
Në vend që të përfaqësojë qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, Lista Serbe e cila është formuar nga partitë opozitare me marrëveshjen e vitit 2013, i bindet Vuçiqit dhe merret me shantazhe e kërcënime”.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për shkarkimin e mundshëm të Kusari-Lilës, zyrtarja e lartë e LVV-së ka thënë se efekti i këtyre publikimeve ka qenë zero dhe se “Kusari-Lila nuk shantazhohet”.
“Ato që janë publikuar kanë një arsye – efekti i tyre ka qenë zero. Lista Serbe nuk ka mundur ta shantazhojë e as t’i bëjë presion Mimoza Kusari-Lilës sepse po të shkonin përpara kërkesat e tyre, ato s’do të publikoheshin”, ka deklaruar Haxhiu.
Sipas saj, prej kohës kur është bërë ky audio-incizim vitin e kaluar, ka një serë veprimesh nga institucionet e Kosovës që reflektojnë sundimin e ligjit.
“Kemi luftim të bandave kriminale, luftim të krimit të organizuar, shtrirje të sovranitetit”, është shprehur ministrja.
Që nga fillimi i javës, përgjimet e publikuara nga gazeta “Nacionale”, ku përfshihen Kusari-Lila dhe Simiqi në një bisedë mes vete, kanë nxitur debat në opinion. Opozita po akuzon pushtetin se ka koordinuar veprimet e tyre me Listën Serbe në projektligjet e ndryshme në Kuvend. /Telegrafi/