Site icon Telegrafi

Haxhiu pas vendimit për Mlladiqin: Serbia është përgjegjësja e gjenocidit në Bosnjë e Kosovë, krimet janë planifikuar e urdhëruar nga shteti serb

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas konfirmimit të dënimit me burgim të përjetshëm të kriminelit të luftës dhe njërit ndër udhëheqësit e gjenocidit në Bosnjë, Ratko Mlladiq, ku u shpreh se përgjegjëse për këto krime është shteti i Serbisë.

Ajo ka thënë ky është një lajm i mirë jo vetëm për mijëra familje që kanë humbur më të dashurit e tyre, por edhe për vetë drejtësinë ndërkombëtare.

Haxhiu në një postim në Facebook ka shkruar se për këtë krim nuk është fajtor vetëm Mlladiq, por edhe vetë Serbia si përgjegjësja dhe planifikuesja e këtij gjenocidi.

Lexo po ashtu Konfirmohet dënimi me burgim të përjetshëm për Ratko Mlladiqin

“Për këtë krim nuk është fajtor vetëm Mladiq, por edhe vet Serbia si përgjegjësja dhe planifikuesja e këtij gjenocidi.  Shteti i Serbisë nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviqit ka kryer gjenocid edhe në Kosovë, përveçse paraprakisht në Bosnjë. Krimet e kryera në këto dy vende nuk janë individuale, ato i gjejmë të planifikuara e urdhëruara nga vet shteti serb”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu e ka quajtur të domosdoshme që krahas evidencës shtetërore përmes Institutit për Krimet e Luftës dhe fuqizimit të institucioneve të drejtësisë për adresimin e krimeve të luftës, të përgatitet padia për gjenocid ndaj Serbisë, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend për mijëra të vrarë, mijëra gra e burra të dhunuara, mijëra shtëpi të djegura e shkatërruara e shumë pasuri të plaçkitur e vjedhur dhe një popull të tërë të përzënë nga trojet e tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version