Për dallim nga deputeti i ri i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, i cili tha se propozimi i LDK-së, që të japin edhe një ministri në mënyrë që të arrihet koalicioni LVV-LDK, është zhvillim pozitiv, deputetja Albulena Haxhiu është shprehur kundër kësaj.
Haxhiu përmes një shkrimi të bërë në Facebook ka thënë se mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm, LDK e ka përdorur për ta betonuar apetitin e tyre.
“Përveç që i duan zv.kryeministrin e parë, 5 ministri dhe gjysmën e programit, LDK e don edhe kryeparlamentarin edhe presidentin. Pra, e duan gjysmën e qeverisë dhe gjithçka tjetër! Jo faleminderit”, ka shkruar Haxhiu, transmeton Telegrafi.
E kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë sot para mediave se janë të gatshëm për marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje, ai ka theksuar se dëshiron që koalicioni të jetë i qëndrueshëm.
“Ne do të vazhdojmë t’i përgjigjemi ftesës së LVV-së, për takimet e ardhshme, vlerësojmë se në qoftë se do të ketë vullnet, mirëbesim, çështja e marrëveshjes mund të arrihet. Parimi që u tha në Këshill është se pjesë e marrëveshjes duhet të jenë të gjitha pozita, të cilat do të sfidohet ky koalicion qeverisës gjatë 4 viteve. Nuk duhet të kemi koalicioni i cili sfidohet qoftë nga zgjedhje e presidentit apo tjera. Në momentit që do të zgjidhet posti i presidenti nga LDK, ne do t’i japim edhe një ministri VV-së”, ka thënë Mustafa para medieve.
Vlen të përmendet se Mbledhja e Parë e Legjislaturës së Shtatë do të mbahet më 26 dhjetor./Telegrafi/