Telegrafi

Haxhiu: Kur PDK-ja i ka ndërtuar shtëpitë e shqiptarëve në veri nën plumba, LVV-ja e kundërshtonte – tash po i ndërton të serbëve

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka kritkuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për mosveprim dhe për propagandë lidhur me situatën në pjesën veriore të Kosovës.

Sipas Haxhiut, asnjë parti politike në Kosovë nuk ka bërë më shumë për veriun se PDK-ja, duke theksuar se kjo parti ka ndërtuar shtëpitë e shqiptarëve në atë zonë, edhe nën plumba.

“Nuk ka parti politike në Kosovë, e cila ka bërë më shumë për veriun sesa PDK-ja. Nuk ka bërë propagande, ka bërë veprime…, PDK-ja nuk ka bërë kësi reklama, i ka ndërtuar shtëpitë në pjesën veriore nën plumba. Ka miliona euro investim, deri në rrugë më të thella në pjesë veriore… me udhëheqjen e kryetar Veseli ka filluar projekti ‘Ndihmo edhe ti’ për rindërtimin e shtëpive në pjesën veriore”, ka thënë Haxhiu në RTVD.

Haxhiu kritikoi partinë në pushtet duke thënë se ata dikur protestonin kundër ndërtimit të shtëpive për shqiptarët në veri.

“A dini që këta që sot janë në pushtet kanë protestuar mos me u ndërtu shtëpitë e shqiptarëve në pjesën veriore. Kanë thënë në dëshirojmë siguri, jo më na ndërtu shtëpitë, kanë grumbulluar njerëzit në veri. Kanë penguar, s’kanë qenë të gatshëm. Krejt VV-në bashkë më bë, nuk mundesh me mbledh një euro që e kanë dhënë për rindërtim e shtëpive të shqiptarëve.

I kanë nda 4 milionë për rindërtimin në pjesën për serbët, ende as 10 shtëpi nuk i kanë ndërtuar për shqiptarët, propagandë po, shtëpia me themel e me kulm jo asnjë”, ka shtuar Haxhiu.