Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se nga Komisioni i Venecias kanë marr dritën e gjelbër për fillimin e Vettingut në drejtësi dhe Themelimin e Byrosë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Haxhiu përmes një konference për media bashkë me kryeministrin e vendit, Albin Kurti theksoi se të premten kanë marr pjesë në një seancë plenare të Komisionit të Venecias në të cilën janë botuar opinionet e Komisionit për koncept dokumentin për Vettingun dhe Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë.
“Sapo jemi kthyer nga Venecia. Kemi marr pjesë në seancën plenare të Komisionit të Venecias e cila u mbajt dje, në të cilën janë botuar opinionet e Komisionit për koncept dokumentin për Vettingun dhe ai për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë. Kemi prezantuar argumente dhe qëndrimin e institucioneve të Kosovës lidhur me rëndësinë e procesit të Vettingut në sistemin e drejtësisë dhe domosdoshmërinë e themelimit të Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë”, tha ajo.
Haxhiu gjithashtu tha se kanë marr dritën e e gjelbër për të filluar me Vettingun dhe me themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë.
“Kemi marr dritën e gjelbër për të filluar me Vettingun dhe me themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë…paraqitet nevoja e domosdoshme për të pasur reformë në drejtësi. Komisioni rekomandon fillimisht verifikimin e niveleve të larta në gjyqësi, vlerësimin e rregullt të gjyqtarëve tjerë… ”, ka thënë Haxhiu.
Sipas saj, në Kosovë do të ketë Vetting duke filluar nga krerët e institucioneve të drejtësisë.
Ajo po ashtu tha se duke filluar nga sot Republika e Kosovës fillon një epokë të re.
“Do të ketë Vetting të plotë duke filluar nga krerët e institucioneve të drejtësisë. Nga sot Republika e Kosovës fillon një epokë të re. Së pari në marrëdhëniet me një trupë të Këshillit të Evropës siç është Komisioni i Venecias, pra një mekanizëm i fuqishëm për drejtësinë e demokracinë, dhe së dyti Kosova do të ndërmarr me vullnet të saj, një proces që ka si synim kontrollin e vetvetes për të mbërritur te drejtësia, dhe së treti sepse qeveria e shtetit të ri, që sapo ka aplikuar për në Këshill të Evropës, është e gatshme të krijojë kushtet, që të hapet rruga për një luftë të përhershme kundër krimit të organizuar. E kemi mbështetjen edhe të kryeministrit”, tha tutje Haxhiu.
E pyetur se si do të bëhet përzgjedhja e drejtorit të Byrosë në Kuvendin e Kosovës, ministrja Haxhiu u shpreh: “Këtë diskutim me Venecian e kemi pas edhe tek çështja e përzgjedhjes së anëtarëve Këshillit Prokurorial të Kosovës, sepse siç jeni në dijeni me ndryshimet që kemi bërë, kemi ul numrin e anëtarëve të Këshillit Prokurorial dhe debatin më të madh që e kemi pasur dhe në Kuvend por edhe me raportuesit e Komisionit të Venecias ka qenë çështja se si mund të votohen ata në Kuvend.
Pra ne kemi nenin 80 të Kushtetueses, e cila parasheh që votimi për ta të bëhet me shumicë të thjeshtë të votave. Pra në rastin konkret në këtë pikë, Venecia ka rekomanduar që të rishikohet çështja e komisionit përzgjedhës që i dërgojnë emrat në Kuvendin e Kosovës”.
Ajo më tej theksoi “Ne kemi parapa me Projektligj që të jetë Komisioni përkatës për Legjislacion. Mirëpo, Venecia për ta fuqizuar institucionin apo për të hequr dilemat se i njëjti drejtor mund të jetë partiak ka rekomanduar që Komisioni që i dërgon emrat të ketë përfaqësues ndoshta edhe të institucioneve të pavarura, ngjashëm siç e kemi me Gjykatën Kushtetuese, ku ka përfaqësues të institucioneve të pavarura në përbërje të Komisionit Ad Hoc që themelohet.
Kjo është tema që ka adresuar në raport me përzgjedhjen e drejtorit. Ne nuk mund të bëjmë ndryshim tjetër për sa kohë kemi nenin 80 të Kushtetutës që kërkon shumicë të thjeshtë për zgjedhjen e drejtorit të një institucioni të pavarur”. /Telegrafi/