Telegrafi

Haxhiu: Fitorja e AAK-së në këto zgjedhje e padiskutueshme, vajtimet e Avdullah Hotit po tregojnë pafuqinë e tij brenda LDK-së

Nënkryetarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka reaguar pas kritikave të shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hotit ndaj koalicionit PAN.

Haxhiu nëpërmjet një shkrimi në Facebook, ka thënë se, “fitorja e AAK-së, në këto zgjedhje është e padiskutueshme, prandaj edhe e drejta për ta zgjedhur partnerin qeverisës do t’i takojë AAK-së”.

Ajo ka shkruar se ata që po proklamojnë gjepura dhe po e fyejnë kryeministrin Ramush Haradinaj, e kanë të qartë së kush do të fitojë, sipas saj, vajtimet e Hotit po tregojnë pafuqinë e tij brenda LDK-së.

Ndryshe, Hoti gjatë ditës së sotme ka thënë se, “qeveria e PAN-it është qeveri e zhvatjes së buxhetit, e izolimit të lidershipit të Kosovës, e dështimit të diplomacisë dhe ç’njohjeve për shtetin e Kosovës, e ministrave me aktakuza, etj.”. /Telegrafi/