Telegrafi

Haxhiu e quan rezolutën e PSD-së, shpëtim të projektit të rrezikshëm të Thaçit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu, në një konferencë të jashtëzakonshme për media para fillimit të seancës së jashtëzakonshme për dialog ka thënë se propozimi që vjen nga PSD, që e quan veten parti opozitare është shtytje ndaj aventurës jo legjitime të presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

Sipas saj, PSD-ja është duke qëndruar në Kuvend me mandate të vjedhura.

“Mbrëmë në orët e vona të natës janë mbledhur 42 nënshkrime më qëllim të miratimit të një rezolute e propozuar nga PSD-ja. Propozuar nga një subjekt që e quan veten opozitar dhe qëndron në Kuvend me mandate të vjedhura. Është rezoluta e parë për të cilën ka thurur lavde pushteti se sa ky subjekt politik”, ka thënë Haxhiu.

Ajo po ashtu tha se projekti i Thaçit ka ngecur dhe këtë projekt të rrezikshëm do ta shpëtoj PSD-ja.

“Thaçit po i duhen vagonët për t’ia dhënë legjitimitetin, pasi Thaçi nuk e ka. Aventurat e Thaçit duhet të shpallen të pavlefshme. Propozimi i këtij dokumenti është fuqizim i Hashim Thaçit”, tha ndër të tjera, deputetja Haxhiu.

Ndryshe, seanca e jashtëzakonshme pritet të filloj në Kuvendin e Kosovës e cila është për rezolutën e paraqitur nga koalicioni PAN dhe PSD, sipas “kërkesës së 42 deputetëve për miratimin e Projekt-rezolutës mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”. /Telegrafi/