Telegrafi

Haxhihamza beson në triumf për derbi: Skifterat ‘lojtari’ më i rëndësishëm i Gjilanit

Të dielën zhvillohet derbi më i madh lokal në vend e rajon, ai i Gjilanit mes Gjilanit dhe Dritës.

Ndryshe nga përballjet e kaluara, ky derbi tash është bartur në kryeqytet për t’u zhvilluar në një mbrëmje e cila pritet të stërmbushë stadiumin “Fadil Vokrri” dhe të jetë një reklamë e bukur për futbollin kosovar.

Ndërkaq, portieri i Gjilanit është shprehur me besim para derbit të madh ndaj Dritës.

Për Haxhihamzën ky do të jetë derbi i parë si stratues, pasi arriti të fitojë besimin e trajnerit Gentian Mezani, duke mbajtur edhe portën të pa prekur në udhëtimin e vështirë në Drenicë.

“Ishte ndeshje e vështirë ajo në Drenicë, por ku skuadra ishte e përkryer në secilin aspekt. Me pak fat, do të kishim arritur edhe pikët e plota”, theksoi ai për Telegrafin.

Foto: Facebook

Për ndeshjen me Dritën, ai beson se rol të madh do të luajnë tifozët, ndërkaq beson se derbi është një sfidë unike për t’u përjetuar si lojtar.

“Për mua, është ndeshja më e rëndësishme e karrierës, duke e ditur se sa e rëndësishme është kjo ndeshje për tifozët dhe për skuadrën tonë. Me një fitore, do të bënim një hap të madh në tabelë. Drita është skuadër e vështirë për t’u mposhtur, dihen cilësitë e Dritës, por ne kemi një përparësi më të madhe, pasi lojtari jonë më i rëndësishëm janë tifozët “Skifterat” të cilët si gjithmonë do të bëjnë atmosferë të cilës do t’i kenë lakmi edhe vendet e rajonit”.

“Jam krenar që jam pjesë e klubit të Gjilanit dhe që do të kem mundësi të jem pjesë e një ndeshje të tillë dhe do të bëjmë gjithçka për të dalur me fitore nga ky derbi dhe për të gëzuar tifozët tanë”, deklaroi Haxhihamza.

Lexo po ashtu Formacioni i javës 24 në Superligë - Haxhihamza në portë

Ai rifitoi vendin si startues duke lënë në stol Donat Kaçiun që ishte i paprekshëm deri në derbin e kaluar. Gjilani ndërroi sërish stafin teknik dhe me trajnerin e ri, Haxhihamza duket se sërish ka fituar besim më të madh për të ruajtur portën.

“Donati është portier me kualitete të mëdha. Ndihem me fat që mund të konkurroj me Donatin, pasi që sa më e madhe konkurrenca, ngritemi më shumë të dy dhe konkurrenca është pozitive në secilin aspekt. Kush do që luan, me rëndësi është që ekipi të fitojë dhe këtë e kemi dëshmuar në vitet e fundit, dukë lënë prapa dëshirat individuale, e dukë vënë përpara çdo gjëje suksesin e ekipit”, u shpreh Haxhihamza.

Ai vlerësoi lart trajnerin e ri Gentian Mezani, duke thënë se ai menjëherë ka fituar skuadrën duke qenë të gjithë të bashkuar. Kjo sipas tij u tregua në Drenicë.

“Me trajnerin e ri, nuk mund të them se është i ri. Si skuadër na duket se njihemi me vite dhe kemi punuar me vite. Vërtet trajneri është i jashtëzakonshëm dhe kemi fat që po punojmë me të. Jemi në gjendje të bëjmë gjithçka për të. Këtë e treguam edhe në Drenicë”, përfundoi Haxhihamza.

Gjilani dhe Drita përballen të dielën në derbin e qytetit që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 20:00. /Telegrafi/