Site icon Telegrafi

Hasi– Anderlecht, vjen vendimi i vështirë

Besnik Hasi nuk do të jetë më trajneri i Anderlehtit. Edhe pse 44-vjeçari do të takohet të premten me drejtuesit e klubit, gazeta belge “Het Laatste Nieuws” ka bërë të ditur se vendimi për largimin e tij është marrë.

Hasi u takua me drejtuesit e Anderlechtit të hënën, duke zhvilluar me ta bisedime paraprake, për të mësuar nëse do të vazhdonte të qëndronte në këtë klub edhe për vitin që i mbetej në kontratë, apo nëse duhej të fillonte të kërkonte një sistemim të ri.

Gjatë këtyre ditëve, Anderlechti ka kontaktuar me trajnerë të tjerë si Peter Maes, Morten Olsen, Hein Vanhaezebrouck dhe Franky Vercauteren.

Duke parë gatishmërinë e tyre për të filluar bisedimet, drejtuesit e klubit kanë vendosur që t’i japin lamtumirën Hasit, vendim të cilin do ia komunikojnë të premten.

Për Hasin, alternativa më e mundshme e vazhdimit të karrierës mbetet Trabzonspori, klub me të cilin ka një akord paraprak për një kontratë trevjeçare.

Megjithatë, ai mbetet një kandidat potencial për të marrë drejtimin e kombëtares shqiptare nëse Gianni de Biasi largohet pas Euro 2016.

Exit mobile version