Site icon Telegrafi

Hasani: Marrëveshja e Kumanovës dhe caktimi i kufijve të Kosovës janë dy gjëra krejt të ndryshme

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka bërë një shkrim me të cilin ka treguar dallimin në mes të Marrëveshjes së Kumanovës dhe caktimit të kufijve shtetëror. Sipas tij, caktimi i kufijve shtetëror në rend të parë është çështje e ligjit ndërkombëtar, e pastaj e lëmive tjera teknike.

“Nuk ka asnjë relevance këtu Marreveshja e Komunoves (më tej shkurt: MK), por Rezoluta 1244 e KS të OKB-së. MK merret me tërheqjen e forcave ushtarake dhe policore të RFJ (Serbi dhe Mali Zi), jo me caktim të kufijve të sovranitet të ri shtetror- Republikës së Kosovës. Ajo është një dokument që ka pasur vlerë vetëm gjatë kohës së konfliktit të armatosur me RFJ (Serbi dhe Mali Zi), pjesë kjo që rregullohet nga E Drejta Ndërkombetare e Luftës, – e cila sot titullohet si “E Drejta Ndërkombetare Humanitare”.

Palë nënshkruese të MK janë komandantët ushtarak. Kjo dmth se ajo ka pasur vlerë kalimtare juridike vetëm për kohën sa ka zgjatur konflikti i armatosur në Kosovë, si konflikt ndërkombëtar i armatosur. Regjimin juridik të vlerës së MK e rregullojnë normat e të drejtës ndërkombetare zakonore, pjesë e së cilës është E Drejta Ndërkombëtare Humanitare. Kufijt nuk rregullihen me marrëveshje tekniko-ushtarake.

Për herë të parë rregulli , “uti possidetis”, në kontekstin e fitimeve territoriale ushtarake, është përdorur në Paqen e Vestfalisë (1648) e cila mbylli luftërat tridhjetëvjeqare në Evropë. Objekti dhe qëllimi i rregullës “uti possidetis”, që nga ajo kohë e deri më sot, nuk ka ndryshuar dhe është si vijon: ngrirja e pozitave dhe e raportit të forcave ushtarake në terren me qëllim që ti hapet rrugë arritjes së paqes në mes të palëve ndërluftuese. Për këte arsye MK ka marrë forcën juridiko-ndërkombëtare të një dokumenti valid ndërkombëtar, por i cili nuk ka efekt juridik territorial, veçse së bashku dhe përmes Rezolutes 1244 të KS të OKB-së dhe më vonë, edhe përmes Planit Ahtisari dhe Kushtetutës së Republikes së Kosovës. Në kohë paqe, ai dokument ka shërbyer dhe shërben si bazë juridike për garantimin e ndalimit të operacioneve të caktuara ushtarake serbe në afërsi të kufijve të Kosovës. Pasojat juridike lidhur me caktimin e kufirit nuk mund të prodhohen për Kosovën, në vecanti jo sa i përket delimitimit (përkufizimit) të territorit kosovar ndaj tjerëve . Kjo sepse ushtria e KFOR-it nuk ka pasur detyrë që të lëvizë nëpër kufijt e Kosovës por zonave të afërta brenda territorit të Kosovës me qëllim të pengimit të agresionit eventual serb ndaj Kosovës.

Sipas Konventës së Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve të vitit 1969 (me tej shkurt: KVDT), çdo marrëveshje duhet të ketë një objekt dhe një qëllim për t’u dalluar nga tekstet tjera që nuk janë marrëveshje ndërkombëtare. Si objekt, MK ka pasur dhe ka rregullimin e marrëdhënieve ushtarake në mes të RFJ (Serbi dhe Mali Zi) dhe NATO-s, kurse si qëllim ka pasur dhe ka largimin e forcave ushtarake dhe policore të RFJ (Serbi dhe Mali i Zi) nga territori i Kosovës. Fjala “territor i Kosovës” në MK ka vetëm nje kuptim: për ta dalluar atë nga territori i Serbisë dhe Malit të Zi (RFJ), që dmth se forcat në fjalë është dashur të tërhiqen nga Kosova menjëherë. Në këtë kuptim, MK nuk mund të shërbëj as si një provë indirekte lidhur me përkufizimin e sakët të territorit të Kosovës në kuadër te Rezolutës 1244 , e lere më si bazë juridiko-ndërkombetare (apo pikë referimi ) për demarkim të territorit të Kosovës sovrane dhe të pavarur që nga data 17 shkurt 2008. Këto janë dy çështje krejtësisht të ndara nga aspekti i të drejtës ndërkombëtare. Këtë e dinë te gjithe ata që kanë dije themelore nga e Drejta Ndërkombetare.

Caktimi i kufijve shtetëror në rend të parë është cështje e ligjit ndërkombëtar, pastaj e lëmive tjera teknike. Hera e parë në jetën time që shoh t’i prij një komisioni për caktim të ri të kufirit shtetror një inxhinier?!” (sic.), ka shkruar Hasani në profilin e tij në Facebook. /Telegrafi/

Exit mobile version