Site icon Telegrafi

“Harry Potter” kthehet, por në teatër

Harry Potter, magjistari më i famshëm, mund të kthehet në një dramë të re në teatër në Londër, në vitin e ardhshëm.

Lajmin e ka bërë të ditur autorja e “Harry Potter”, K Rowling, e cila ka thënë se do të tregojë “pjesën e pa treguar” të tregimit për djalin magjistar, duke përfshirë edhe historinë e jetës së prindërve të tij të vrarë.

“Harry Potter dhe Fëmija i Mallkuar” titullohet tregimi i ri që do të jepet për herë të parë në “Palace Theater” në Londër, verën e vitit 2016, me biletat të cilat do nisen të shiten që në vjeshtën e këtij viti.

Autorja e Harry Potter tha se zgjodhi të bëjë njoftimin ditën e premte, pasi për atë “është një ditë e veçantë”, 18-vjetori kur libri i saj debutues, Harry Potter dhe Guri Filozofik, u botua për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar.

Historia e re është shkruar nga K Rowling në bashkëpunim me shkrimtarin Jack Thorne dhe John Tiffany, i cili do të drejtojë edhe shfaqjen, transmeton Shekulli.

Por, lidhur me pyetjen se pse nuk bëri edhe një libër për këtë tregim, ka thënë: “Për t’u përgjigjur një pyetje të pashmangshme, se pse ‘Fëmija i mallkuar’ nuk është edhe roman, jam e bindur se kur audienca do të shikojë shfaqjen, do të jetë dakord se ai është mediumi i duhur për këtë histori”.

Exit mobile version