Site icon Telegrafi

Harris dhe Biden dënojnë vrasjen e aktivistes turko-amerikane nga forcat izraelite

Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris ka dënuar vrasjen e aktivistes turko-amerikane, Aysenur Eygi, e cila u vra gjatë një proteste javën e kaluar në Bregun Perëndimor.

Harris e quajti vdekjen e Eygi një “tragjedi të tmerrshme që kurrë nuk duhet të kishte ndodhur”.

“Askush nuk duhet të vritet për pjesëmarrje në një protestë paqësore. Të shtënat që çuan në vdekjen e saj janë të papranueshme dhe ngrenë pyetje legjitime në lidhje me sjelljen e personelit të forcave izraelite në Bregun Perëndimor”, tha ajo.

Harris gjithashtu bëri thirrje për “përgjegjësi të plotë”, shkruan cnn.

“Hetimi paraprak i Izraelit tregoi se ishte rezultat i një gabimi tragjik për të cilin është përgjegjëse IDF. Ne do të vazhdojmë t’i bëjmë presion qeverisë së Izraelit për gjetjen e përgjegjësve, në mënyrë që të kemi besim në rezultatet. Duhet të ketë përgjegjësi të plotë”, tha ajo.

Ndërkohë edhe presidenti amerikan, Joe Biden tha gjithashtu se ishte “i indinjuar” me vdekjen e Eygit gjersa shtoi se Izraeli duhet “të bëjë më shumë për të siguruar që incidente të tilla të mos ndodhin më kurrë”.

Ndryshe, mbi 40 mijë palestinezë janë vrarë në luftën Izrael-Hamas në Gaza, tha të enjten Ministria palestineze e Shëndetësisë. /Telegrafi/

Exit mobile version