Site icon Telegrafi

Haradinaj: Qeveria po tallet me Kosovën përmes “dialogut të teknikëve”

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka adresuar një varg kritikash ndaj Qeverisë Kurti, lidhur me dialogun me Serbinë.

Në debatin parlamentar për dialogun, deputeti Hardinaj tha se procesi i dialogut është kthyer në dialog të teknikëve.

“Pra nuk është dialog teknik por i teknikëve të cilët udhëtojnë shpesh në Bruksel dhe për të cilët parlamenti duhet me pri kur ata munden me ardh me i tregu Kosovës çka po ndodh në dialog. Qeveria jonë pas gjithë këtyre viteve në dialogimi sot e quan sukses dialogun e teknikëve arritjen e një marrëveshje për ngjitës në tabela. Qeveria dhe udhëheqësit politik që me vite të tëra kanë kundërshtuar dialogun pa kritere sipas tyre dhe kanë kundërshtuar dialogun teknik të stërzgjatur, tani po e vazhdojnë talljen me Kosovën përmes dialogut të teknikëve dhe përmes riciklimit të temave të zgjidhura dikur”, tha ai.

Kjo formë sipas tij është tallje për Kosovën. Ai i quajti noter të kryeministrit Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

“Deri kur ju që jeni përballë edhe kryeministri që s’paska ardh këtu, se kumedit e ka agjendën busy, edhe noteria e tij, presidentja edhe ky noteri tjetër Konjufca, deri kur doni me u mbush mend mos me bo hajgare me këtë vend. A e kuptoni çka jeni duke bërë, janë disa këtu, baba i Astrit Deharit, është Gani Krasniqi, Fatmir Humolli, Hydajet Hyseni ku jeni o burra. Ju e keni tall Ibrahim Rugovën duke thënë se po na vënë në gjumë prej 1990 deri 1999, çka jeni duke bërë ju sot. Kjo parti e juve po e vënë në gjumë Kosovën dhe po e qon poshtë”, tha ai.

Ai kërkoi deputetëve të miratojnë mocionin e AAK-së për të vendosur kornizën për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Ne AAK-ja i kemi propozuar parlamentit një mocion përmbajtjesor për të vendosur kornizën për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi. Pra parlamenti të vendosë kornizën qeverisë dhe të cilën do të obligohet qeveria që mos të vazhdojë me dialogun teknik dhe të teknikëve të vet. Por të kalojë në fazën finale të dialogut në marrëveshjen e madhe ose big fix e kemi quajtur me të cilën do të arrihet dhe kërkohet njohja reciproke Kosovë-Serbi në kufijtë ekzistuese bazuar në tri parimet veç të dakorduara edhe me negociatorët ndërkombëtar. Pra integriteti territorial, sovraniteti dhe kushtetutshmëria”, tha Haradinaj.

Pas përfundimit të fjalës, deputetit Haradinaj i reagoi kryeparlamentari, Konjfuca i cili kërkoi të ketë kujdes në terminologjinë që përdor.

“Zotëri Haradinaj kujdes në terminologjinë që e përdorni”, tha ai. /kp/

Exit mobile version