Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, ka thënë se Ushtria e Kosovës nuk do të përdoret kundër popullit të Kosovës, as në jug e as në veri të vendit.
Haradinaj këtë deklaratë e bëri në ceremoninë për nder të Epopesë së UCK-së, e organizuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Sipas tij, komandanti Adem Jashari iu ka dhënë një leksion me veprën e tij gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Në marsin e vitit 1998 midis Evrope u çua një familje e tërë, ku bota u zgjua dhe nuk lejoj të vdes një popull…Adem Jashari na ka dhënë këtë leksion ‘vetëm një popull që është i gatshëm të mbroj me çmimin e jetës e ka të ardhmen e sigurt’. Thelbi i lirisë sonë, dhe deputetët e zgjedhur me 107 vota i thanë po projektit të madh…Ushtria e Kosovës bien paqe dhe nuk do të përdoret kundër popullit të Kosovës, as në jug e as në veri. Me miqtë e Kosovës, Amerikën do t’ia dalim ta bëjmë Kosovën ashtu siç kemi dashur”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, Rifat Jashari ka falënderuar Ushtrinë e Kosovës, duke ju thënë që ta mbrojnë popullin e Kosovës.
“Sot jemi bashkuar më 5 mars para Ushtrisë më të re të kombit shqiptarë, Ushtrisë së Kosovës. Dëshiroja të ju përshëndes të gjithëve këtu dhe shqiptarëve kudo që janë. Ushtrisë së Kosovës u dëshiroj shëndet e lumturi dhe ta mbrojnë popullin e Kosovës. Lavdi atyre që kanë rënë më herët dhe më vonë. Falënderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe të gjithëve që do të na mbrojnë deri në fund për problemet që do ta na dalin përpara”, ka thënë Jashari.
Gjithashtu, në këtë ceremoni u vendosën dhe kurora lulesh tek nobelisku, për nder jetës dhe veprës së familjes Jashari. /Telegrafi/