Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës që po mbahet kundër heqjes së taksës 100 për qind, për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, nuk kanë munguar as debatet e ashpra mes deputetëve.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në fjalimin e tij ka thënë se nuk po e kupton mesazhin që opozita u ka drejtuar me arkivol para Kuvendit.
“Edhe durimi i jonë ka njëfarë kufiri, kur kjo kalon në arrogancë. Duhet t’ju kujtoj edhe një herë që me të drejtë kemi marrë kësi kërcënime edhe këto që u thanë sot këtu, por edhe përformancën jashtë Parlamentit nuk po e kuptoj mesazhin e opozitës me arkivole para institucionit të Republikës së Kosovës… A është kërcënim dhe a mendoni që ne do të ndalemi para këtyre kërcënimeve”, ka deklaruar Selimi.
Ndërsa, një kundërpërgjigje ndaj deputetit Selimi e bëri deputeti i AAK-së Daut Haradinaj.
“Sa i përket kërcënimit me arkivol nuk është kërcim, është aktivitet simbolik, i ka qëllimet e qarta”, pohoi Haradinaj.
Seanca e jashtëzakonshme për taksën 100 për qind ka filluar rreth orës 11:00./Telegrafi/