Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se kosovarët i respektojnë komunitetet pakicë dhe nuk e sulmojnë veriun ashtu si ka thënë presidenti i Serbisë, Vuçiq.
“Nuk ka popull më të respektueshëm se kosovarë. Ju siguroj që serbët e Kosovës janë qytetarë të saj. Ju siguroj që shqiptari sa të është zot shpie nuk ka me u korit kurrë me komunitetet tjera që janë këtu”, tha ai.
“Pra kurrë shqiptari nuk e sulmon Veriun, qysh po thotë presidenti Vuçiq. Nuk e sulmojnë veriun, nuk e sulmojmë jugun e vendit tonë, nuk e sulmojmë kërkon. Por kush i prek kufijtë e Kosovës, na gjen në kufi. Këtë duhet ta dijë secili”, tha Haradinaj gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e VIII-të Zgjedhor të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në degën në Deçan, transmeton Express.
Ndërsa, Haradinaj sa i përket largimit të trupave amerikane, tha se ne dëshirojmë që ata të mbesin në Kosovë, sipas tij ata janë në shtëpi të vet dhe asnjë veprim i Kosovës nuk do ta prish këtë marrëdhënie.