Telegrafi

Haradinaj: Për korrigjimin e Demarkacionit me Malin e Zi nuk ka presion kohor, ka tema tjera me rëndësi

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj në një konferencë për media ka folur rreth çështjes së korrigjimit të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, duke thënë se lidhur me këtë çështje nuk ka presion kohor pasi ka tema tjera me rëndësi, siç është liberalizimi i vizave.

Haradinaj tha se janë të kujdesshëm për proceset në rajon.

Lexo po ashtu Haradinaj: Marrëveshja e ratifikuar na obligon t'i bëjmë korrektimet në drejtim të Çakorrit   
Lexo po ashtu VV: Haradinaj të dorëhiqet, tre muaj pas ratifikimit asnjë lëvizje për korrigjimin e Demarkacionit

“I gëzohemi sukseseve të Malit të Zi… Kemi marrëdhënie shumë të mira dhe i jemi falënderues për gatishmërinë që Marrëveshjen për kufirin ta trajtojmë në përputhje me atë që jemi marrë vesh… Koha për këtë do të jetë kur ne e përcaktojmë, pra nuk kemi presion kohor për këtë pasi kemi disa tema me rëndësi si liberalizimi i vizave, zbatimi i agjendës evropiane dhe tema tjera. Të vetmit presion kohor që e kemi është liberalizimi i vizave…”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka folur edhe rreth mundësisë për vizitë në Luginë të Preshevës.

Ai tha se do t’i ushtrojë vetëm ato përgjegjësi që i ka me Kushtetutë. “Si Ramush Haradinaj ndoshta po, si kryeministër nuk e di. Kur na ka interesuar për neve nuk ka pas kufij. Unë do të ushtroj vetëm ato përgjegjësi që mi jep Kushtetuta”.

Kreu i ekzekutivit të vendit duke folur për proceset në rajon, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Maqedoni që të votojnë po” marrëveshjes Maqedoni-Greqi, që parasheh zgjidhjen e kontestit të emrit dhe i hap rrugë integrimit euro-atlantik të Maqedonisë. /Telegrafi/