Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, është shprehur optimist për liberalizimin e vizave, njofton Klan Kosova.
Këtë deklaratë, Haradinaj e bëri gjatë një interviste për emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ku tha se Qeveria po punon që liberalizimi të ndodhë këtë vit.
‘I kemi kaluar dy hallka, tani është e treta. Besoj që Berlini zyrtar do të na ndihmojë të hyjmë në agjendën e diskutimit. Kemi biseduar me Kurtz, nuk ishte kundër. Ne duhet ta vazhdojmë punën tonë. Kemi disa ligje që duhet t’i kalojmë parlament të cilat na ndihmojnë, si kodi kriminal dhe të tjera”, ka deklaruar Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj më tej ka theksuar se nuk duhet të dorëzohemi.
“Duhet të punojmë sepse as deri këtu s’ka qenë lehtë. Kemi punuar intensivisht. Unë nuk jam i tërhequr prej pritjes që para vitit të ri të bëhet liberalizimi. Ne po punojmë që të mos shtyhet. Po punojmë të ndodhë këtë vit. Është herët të dorëzohemi. Do të provojmë. Jam optimist që para vitit të ri të hiqen vizat”, shtoi Haradinaj.
I pari i Qeverisë, ka folur edhe për formimin e ushtrisë, ku ka theksuar se votimi është çështje javësh.
“Kjo ushtri është si të gjitha ushtritë tjera. Kapacitetin operues mund ta ketë më të lart, por është e njëjta. Do të jetë ushtri tokësore në tri regjimente. Ka komandën e gardës kombëtare, një pjesë janë aktiv. I ka doktrinat edhe njësitë e tjera të specializuara”, ka deklaruar Haradinaj.
Haradinaj më tej gjatë intervistës në Klan Kosova, ka komentuar edhe takimin e nesërm në Bruksel që do të mbahet në mes presidentit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq.
“Thaçi duhet të jetë i kujdesshëm në qasjen e tij për shkak se këto takime s’mund të jenë të tilla që mos me përfaqësua drejt Kosovën. Ai është president i zgjedhur. Takimet ndodhin, por është i obliguar të paraqesë pikëpamjen në bazë të kushtetues së vendit”, ka deklaruar Haradinaj.
Duke folur rreth korrigjimit të kufijve, kryeministri Haradinaj ka thënë se kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm.
“Ka kur është në pyetje e drejta e Kosovës ka Zahira, Luana, Adema, ata do ta ndalin [prekjen e kufirit], jo politikanët. Gabon dikush nëse i teston. Kosova ka pas dhe do të ketë njerëz që të mos e lejojë dikë të luajë me tokën dhe territorin e vet”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se nuk është kërkesë e ndërkombëtarëve ndarja e Kosovës. Ai ka përshëndetur qëndrimin e Gjermanisë karshi idesë për korrigjim kufiri.