Në prezencën e më shumë se 100 kompanive nga vendi dhe rajoni është hapur edicioni i XX-të i Panairit Ndërkombëtar “Prishtina 2019”, që organizohet nga Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në hapjet të këtij panairi, tha se ekonominë e bëjnë ndërmarrësit dhe se ata janë heronjtë e vendit.
“Shpejt në Kuvendin e Kosovës pritet të aprovohet Ligji për Tatimin e Vlerës së Shtuar që synohet përmirësimi i të bërit biznes. Politikat fiskale i kemi më të ulëta në Evropë, odat kanë brenda vetit arbitrazhet për zgjedhjet e kontratave. Tek Zyra e Kryeministrit kemi filluar një qasje të re që i kemi dhënë hapësirë komunikimit me kompanitë. Është vit i ekonomisë, por vitin e ekonominë e bëjnë ndërmarrësit, ata janë heronjtë tonë, ata hapin vende të punës”, tha Haradinaj.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë kanë se kompani nga shtetet më të rëndësishme po marrin pjesë për herë të parë në këtë panair.
“Sot kemi prezent më shumë se 100 kompani nga vendi dhe rajoni. Panairi është ndër mundësitë kryesore që të promovohen vlerat e ekonomisë sonë, jo vetëm për tregun tonë, por edhe për tregjet e huaja dhe korrespondon edhe me atë që e ka proklamuar Qeveria e Kosovës, që ky vit, do të jetën vit i ekonomisë”, ka deklaruar Rukiqi.
Ai bëri thirrje që fokusi për siguri dhe shëndet në punë të jetë më i madh.
“Ajo që është thirrje duke u lidhur me rastet e fundit për shumicën e bizneseve është fokus më madh te siguria dhe shëndeti në punë prandaj të mos na përsëriten rastet që i kemi dhe besoj që ky është mesazh për panairin”, ka thënë ai.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, tha se prodhuesit kosovar po kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë së vendit.
Kompanitë vendore përmes prezantimit të prodhimeve janë duke deklaruar edhe arritjet e tyre në fushat e ndryshme të prodhimit dhe ofertat e tyre për konsumatorët vendor dhe atyre ndërkombëtar. Shpreh mirënjohje për prodhuesit vendor që po kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë së vendit tonë.
Ndërsa, Artan Ramaj, menaxher në Al Trade Center, tha se në këtë panair kompania është duke prezantuar projektin Linda Premium Residence, gjithashtu duke shikuar mundësitë për bashkëpunim me kompanitë e tjera.
“Ne e prezantojmë projektin më të madh që është duke u realizuar nga kompania Altrade Center, Linda Premium Residence, ku përveç këtij projekti që është duke u realizuar në Prishtinë, i kemi edhe projektet tjera që janë duke u realizuar në Fushë Kosovë. Është një informim i njerëzve, pjesëmarrësve në këtë panair për realizimin e projekteve tona. Përveç informimit të projekteve tona, normalisht interesi jonë është edhe fillimi i bashkëpunimeve të reja me kompanitë pjesëmarrëse këtu, përfaqësuesve të kompanive të tjera sidomos nga ato që e kanë furnizimin e materialeve të ndryshme që ne t’i kemi në realizimin e projekteve”, tha Ramaj.
Drejtori i Pro Transport & Logistics, Faton Demaj, tha se në këtë panair presin të takojnë biznese që ndërlidhen me shërbimet e kompanisë.
“Duke marr parasysh që shërbimet tona janë konkretisht për komunitetin e biznesit, ne presim që të takojmë dhe t’i njoftojmë shumë kompani që merren më import dhe eksport që ndërlidhen me shërbimet tona”, tha Demaj.
Panairi është i hapur deri më 26 prill në Qendrën e Panaireve në Shkabaj. /Telegrafi/