Site icon Telegrafi

Haradinaj në Kuvend: Kosova të hënën mund ta mbyll marrëveshjen, jo vetëm sinjale pozitive

Foto: Arkiv

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha sot në Kuvend se Kosova mundet të hënën, më 27 shkurt ta mbyll marrëveshjen me Serbinë, pasi sipas tij, i vetmi vend që nuk i gëzohet arritjes së marrëveshjes është Rusia.

Haradinaj në një deklaratë para mediave tha se Kosova me pranimin e propozimit evropian ec përpara në planin e sigurisë, Partneritetit për Paqe dhe NATO.

“I vetmi vend që nuk i gëzohet arritjes së marrëveshjes është Rusia…, që nuk ka interes të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi dhe kjo çështje të mbetet e hapur e potencial për destabilizim ose për debat të vazhdueshëm politik…”, tha kryetari i AAK-së, raporton Telegrafi.

Ai tha më tej se Kosova mund të hënën që të mbyll marrëveshjen e jo vetëm të jep sinjale pozitive.

“Pos në aspektin e sigurisë e mbrojtjes, Kosova mundet menjëherë me e shtu edhe një komponent kësaj marrëveshjeje, aspektin financiar e ekonomik”, tha Haradinaj, duke shtuar se rrjedhjet buxhetore për veriun janë duke u rritur.

Sipas tij është moment i mirë që Kurti e Qeveria të kërkojë ndihmë financiare, investime edhe përkrahje ekonomike për ta zbatuar më tutje jo vetëm rendin e ligjin në veri, por edhe zhvillimin ekonomik atje.

“Kosova nuk mbledh tatim në veri të vendit, ndërsa ka edhe elemente tjera që e vështirësojnë situatën buxhetore të Kosovës në raport me veriun. Unë besoj shumë që është një moment i mirë që kryeministri i Kosovës ti kërkon Amerikës dhe BE-së edhe ndihmë financiare, investime por edhe përkrahje ekonomike, për të zbatuar rendin dhe ligjin në veri, por edhe zhvillimin ekonomik por pa rrjedhje të vazhdueshme buxhetore të Kosovës”, ka thënë Haradinaj. /Telegrafi/

Exit mobile version