Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që t’ua plotësojë kërkesat pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Përmes një shënimi në Facebook, Haradinaj ka akuzuar Kurtin për fyerje të pjesëtarëve të Njësisë Speciale.
I pari i AAK-së ka vlerësuar lartë njësitet elitare të Policisë së Kosovës sidomos në ngjarjet e 24 shtatorit.
“Për dallim nga ti Kryeministër, që dikur i ishe dorëzuar regjimit serb gjatë luftës, pa rezistencë, pjesëtarët e Njësisë Speciale që ti sot i fyen, më 24 shtator nuk u dorëzuan, por luftuan duke i mposhtur me turp terroristët e sponzorizuar nga Serbia”.
“Andaj, mos e fyej Policinë sepse e dimë se kush je! Policia e Kosovës është një prej sukseseve më të mëdha të shtetit tonë. Plotësoja kushtet!”, ka shkruar tutje kryetari i AAK-së./Telegrafi/