Site icon Telegrafi

Haradinaj: Kurti sa ishte opozitë i sulmoi me gurë Policinë e Kosovës, sot po i përdor për interesa elektorale

Në përvjetorin e 25-të të themelimit të Policisë së Kosovës, Ramush Haradinaj ka shprehur urimet, por edhe kritikuat për qeverinë aktuale për mënyrën se si po trajton forcën e rendit.

Haradinaj tha: “Kur më 6 shtator 1999 u themelua Policia jonë, filloi shtet-ndërtimi në fushën e sigurisë. Nesër bëhen 25 vjet. E uroj Policinë në 25-vjetorin e themelimit!”

Ai theksoi se do të kujtojmë përgjithmonë policët e rënë në detyrë dhe përmendi angazhimet për përmirësimin e kushteve të punës për policët.

Sipas Haradinajt, prioritetet e tij për forcën e rendit përfshijnë “paga minimale prej 1.000 euro brenda Policisë dhe sigurimin shëndetësor.” Ai gjithashtu  ka premtuar se “modernizimi i pajisjeve të Policisë do të bëhet gjithashtu.”

Në të njëjtën kohë, Haradinaj ka kritikuar Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti për trajtimin e Policisë.

I pari i AAK-së ka thënë: “Policia sot nuk e ka kujdesin e Qeverisë, por e ka presionin politik mbi të! Kurti edhe i sulmoi me gurë sa ishte në opozitë, edhe po e instrumentalizon Policinë për interesa elektorale sa është në Qeveri. Ai nesër në 25-vjetorin e Policisë mund t’ju mbajë një fjalim prekës, por prapa fjalëve vetëm mashtrimin ka qëllim.”

Haradinaj ka përfunduar duke thënë: “Policia është e Kosovës. Qëndroni të tillë. Mos u bëni instrument në duar të pasigurta!”. /Telegrafi/

Exit mobile version