Telegrafi

Haradinaj: Kosova është për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, me njohjen reciproke në kufijtë ekzistues (Video)

Pas takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se ka diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në rajon dhe për nivelin e lartë të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Sa i përket dialogut me Serbinë Haradinaj ka theksuar se Kosova është për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, përfshirë njohjen reciproke, në kufijtë ekzistues me Serbinë.

Gjithashtu Haradinaj rikonfirmon se Gjermania përkrahë liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Falënderova Kancelaren Merkel për konsistencën e shtetit gjerman sa i përket mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës si dhe për vendimin e Gjermanisë për t’i thënë PO heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës të cilët, ndonëse i përkasin popullit më proeuropian, gjatë kohë janë mbajtur të izoluar.

Nga kancelarja Merkel mora konfirmimin se Gjermania do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar”,  ka thënë Haradinaj./Telegrafi/