Kryeministri Ramush Haradinaj, ka falënderuar Qeverinë Britanike, për kundërshtimin e idesë për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se n”ë debatin e sotëm për Kosovën në Parlamentin Britanik, Ministri për Evropë Sir Alan Duncan e cilësoi si tejet të rrezikshëm për Ballkanin, debatin për ndryshimet e kufijve, që do të shfrytëzohej si presedan nga palët e treta”.
Postimi i plotë i Haradinajt:
“Mirënjohës dhe falënderues për çasjen konsistente të Qeverisë së Britanisë së Madhe ndaj idesë luftënxitëse e destabilizuese të ndryshimit të kufirit të Kosovës me Serbinë, si pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me shtetin fqinj. Në debatin e sotëm për Kosovën në Parlamentin Britanik, Ministri për Evropë Sir Alan Duncan e cilësoi si tejet të rrezikshëm për Ballkanin, debatin për ndryshimet e kufijve, që do të shfrytëzohej si presedan nga palët e treta.
Kufijtë në Ballkan nuk janë perfekt, dhe lëvizja e tyre është shumë e ndjeshme dhe e rrezikshme. E përsëris se Kosova është e interesuar për marrëveshje me Serbinë, e cila do të rezultojë me njohje reciproke brenda kufijve aktual të 17 shkurtit 2008”, ka shkruar Haradiaj.
Deklarata e Haradinajt vjen pas një debat për Kosovën është zhvilluar sot në Parlamentin britanik, ku ka folur edhe Ministri për Evropë, Sir Alan Duncan.
Duke folur për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, ministri britanik ka thënë se “arritja e marrëveshjes e bazuar në ndryshimin e kufijve, rrezikon stabilitetin në Kosovë dhe Serbi si dhe rrezikon të vendos një precedent që mund të shfrytëzohet nga palët e treta në rajon dhe më tej”.
Në debatin për Kosovën në Parlamentin britanik është përfshirë edhe deputeti laburist, John Grogan, i cili edhe e drejtoi atë.
Grogan ka thënë se për çështjen e ndryshimit apo korrigjimit të kufijve janë shpenzuar shumë para në Londër dhe kryeqendra tjera.
“Jam i kënaqur që javën e kaluar Presidenti i Kosovës (Hashim Thaçi) tha se këmbimi i territoreve nuk do të ndodhë kurrë. Para një viti ai fliste për korrigjim kufijsh me Serbinë, por kjo ishte qasje e gabuar. Janë shpenzuar para bukur të mëdha për lobim në Londër dhe gjetiu për këtë çështje, por jam i kënaqur që Presidenti e ka ndërruar qasjen. Kryeministri dhe Parlamenti (i Kosovës) me të drejtë kundërshtonin këmbimet territoriale, korrigjimet e kufijve apo çfarëdo të quhen ato. Këto mund të jenë shumë destabilizuese në Ballkan”, ka deklaruar Grogan. /Telegrafi/