Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në seancën e Kuvendit të Kosovës ka folur sërish për grevën në arsim.
Haradinaj ka thënë a beson dikush që ata mësimdhënës prej qejfit kanë qëndruar në shtëpi.
“Nuk besoj se ka dikush që e beson këtë. Nga 2018 pagat nuk janë rrit, prej atëherë vazhdon intensivisht me u shtrenjtua jeta”, ka thënë Haradinaj.
Gjatë fjalës së tij, ka ndërhyrë ministri Murati ku pastaj Haradinaj ka ndërprerë fjalimin duke i thënë Muratit “urdhëro në foltore të lutem”
Pastaj ka ndërhyrë kryeparlamentari Glauk Konjufca duke i thënë ministrit Hekuran Murati që të mos ndërhyjë kur flasin deputetët.
Më pas Haradinaj ka dalë dhe ka vazhduar fjalimin duke thënë se nëse vazhdohet praktika e pengimit të fjalimeve do t’ua kthej në të njëjtën mënyrë.
“Sa herë që dal e flas në këtë foltore pengohem nga mbrapa… Nëse kjo praktikë vazhdon më duhet me jau kthy edhe unë në atë mënyrë që e marr…”, tha Haradinaj.
I pari i AAK-së e quajti kryeministrin Kurti “good guy” (djal i mirë).
“Ajo që isha tu e thanë është shumë e thjesht ky “good guy” ynë këtu është rrit duke i urryer regjimet. Prej që është bë regjim u kthy duke i urryer ata që e kanë pru këtu, armiqtë e brendshëm sindikatat, mësuesit”, tha Haradinaj.
Ai shtoi se kryeministri nuk është duke nënshtruar PAN-in por mësuesit.
“Nuk je tu e nënshtrua PAN-in je tu i nënshtrua mësuesit e ata ta tregojnë qejfin kur të vie vakti”, tha Haradinaj.
Pas tij, fjalën e mori kryeministri Kurti i cili tha se i duket e çuditshme që Haradinaj flet në emër të mësuesve.
“Unë nuk flas për kurrfarë armiqsh të brendshëm sepse këto nuk janë as shprehje as mënyra të mia. Por, ju sapo e dëgjuat deputetin Haradinaj që tha se ‘mësuesit ta tregojnë qefin kur vjen koha’. Mu duk e çuditshme që Haradinaj flet në emër të mësuesve”.
Por, nuk vonoi shumë reagimi i Haradinajt ndaj kësaj deklarate të Kurtit.
Në replikën e tij, i pari i AAK-së tha se “edhe unë kryeministër kam qenë mësues njëherë”.
“Ndoshta ti s’e beson por me 5-she”, ka vazhduar ai. /Telegrafi/