Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, sot kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi për “Prishtinën e Re”, si dhe projekte të tjera me shumë rëndësi në kryeqytet.
Kryeministri Haradinaj tha se pas ligjit për kryeqytetin, qeveria ka vazhduar më bashkëpunim me Komunën e Prishtinës edhe për projektin e madh “Prishtina e Re”.
Ai theksoi se sot janë duke shënuar ngjarjen më të madhe në historinë me projektin e “Prishtinës së Re”, transmeton Telegrafi.
“Sot jemi duke shënuar ngjarjen më të madhe në historinë tonë të re, e cila i ka fillet e saj 20 vite përpara për bartjen e institucioneve, diku në Hajvali. Pas 20 viteve projekti i ‘Prishtinës së Re’ po merr jetë. Më 25 qershor jam autorizuar për nënshkrimin e memorandumit me kryetarin, që nënkupton që jemi palë e këtij projekti të madh që është në interes të qytetarëve. Kam besim në kapacitetin e komunës, dhe të gjitha kapacitet e ekzekutivit do të jenë në përkrahje të këtij projekti. 64 hektarë janë pronë komunale, 136 hektarë janë pronë shoqërore, 137 janë pronë e shoqërisë. Ora ka filluar të trokas për këtë projekt dhe ia kemi dorëzuar komunës së Prishtinës. Kam dëshirë që historia të na mbaj mend për ‘Prishtinën e Re’ “, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se projekti i madh për “Prishtinën e Re” është vizioni i së ardhmes për të hequr presionin nga qendra e Prishtinës.
“Vitin e kaluar kemi pasur një kërkesë të jashtëzakonshme për ndërtime, dhe është diskutuar kalimi i pjesë administrative për ‘Prishtinën e Re’. Kemi arrit që pas disa muajsh negociatash që projekti i zgjerimit të ‘Prishtinës së Re’ të bëhet në koordinim të plotë me Qeverinë e Kosovës. Çdo hap do ta bëjmë bashkë dhe çdo gjë do të jetë transparente”, ka thënë ndër të tjera Ahmeti. /Telegrafi/