Telegrafi

Haradiaj: Shteti i Kosovës i ka marrë dy goditje të rënda nga kryeministri “kukull”

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se i ka dhënë dy goditje të rënda shtetësisë së Kosovës me marrëveshjen për targat e automjeteve dhe refuzimin për gazsjellësit amerikan.

Haradinaj në një konferencë për medie, tha se kryeministri Kurti u dëshmua se është antiamerikan me refuzimin për gazsjellësin, derisa tha se marrëveshjen për targat Kosova u kthye 10 vjet prapa.

“Shteti i Kosovës i ka marrë dy goditje të rënda që ka shpallja e pavarësisë nga një kryeministër kukull. Dje është nënshkruar një marrëveshje që e kthen Kosovën 10 vjet prapa, po ashtu edhe refuzimin e gazsjellësit amerikan. Me anë të marrëveshjes për targat e automjeteve Kurti goditi sovranitetin e vendit. Ky njeri e ka bërë hisedar Serbinë dhe ka pranuar të negociojë punën e ndjeshme të brendshme. Ky njeri me vendimin për gazsjellësin ka marrë vendimin më antiamerikan. Ky njeri ka nisur epokën anti-Kosovë dhe anti-Amerikë”, tha ai.

“Edhe marrëveshjen për targat edhe me JO-në për gazsjellësin amerikan, ky njeri ka nisur epokën anti-Kosovë dhe anti-Amerikë, por ju siguroj se nuk do të ketë sukses. Kam një pyetje edhe për Presidenten e vendit. Pse po hesht për refuzimin shtetëror të projektit amerikan te gazsjellësit. Kjo heshtje e bën këtë goditje edhe më të dhimbshme dhe frikësuese. Jo më shumë se 2 javë më parë, ajo pat thënë se: ‘Kosova s’ka refuzim. Kosova s’mund të ketë rrugëdalje tjetër, përpos bashkëpunimit me SHBA-të’. E çka ndodhi tash. Sqarojeni popullin kah jeni nisur”, tha Haradinaj.