Intervistoi: Aroma Aliti
Emira Selimi është një studente nga qyteti i Shkupit. Ajo ka marrë iniciativë për hapjen e bibliotekës së parë shqipe në qytetin e Manastirit. Në një intervistë për Telegrafi Maqedoni ajo rrëfen se si ka filluar e gjithë kjo iniciativë, gjithashtu dhe për mbështetjet që ka pasur deri më tani nga figura të njohura publike dhe njerëz të tjerë.
Ajo pretendon që kjo bibliotekë të jetë një ndihmesë e madhe për mbrojtjen e gjuhës shqipe në këtë vend. Emira u drejtohet të gjithëve që të ofrojnë ndihmë sa munden për këtë mision të shenjtë që ajo ka ndërmarrë, pasi që sipas saj ne qytetit të alfabetit i kemi shumë borxh dhe është koha që të kontribuojmë për këtë qytet dhe shqiptarët që kanë mbetur atje.
Kush është Emira Selimi për të gjithë ata që nuk e njohin?
Unë jam Emira Selimi, jam nga Shkupi. Studioj në Universitetin e Evropës Juglindore: Shkencat Politike dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Poashtu merrem edhe me gazetari dhe jam aktiviste e shoqërisë civile.
Ju keni marrë një iniciativë për hapjen e një biblioteke në Manastir, nga lindi kjo ide?
Unë jam iniciatorja e hapjes së parë të bibliotekës shqiptare në qytetin e Manastirit. Kjo ide lindi nga momenti kur unë në vitin 2021 fillova të bëj një hulumtim në qytetin e alfabetit në lidhje me gjurmët e shqiptarëve ortodoks atje. Në momentin kur unë fillova të gjurmoj aty, kuptova edhe fatin e shqiptarëve të sotëm që kanë mbetur në qytetin e Manastirit. Statistikat tregonin se në Manastir ishin vetëm 5% shqiptarë ndërsa këto 5% ishin vetëm ato që kishin mbiemrat e shqipëruar, ndërsa pjesa më e madhe ishin me mbiemra të sllavizuar dhe të turqizuar dhe këto shqiptarë me këto mbiemra në statistika pavarësisht se deklarohen shqiptar ato nuk shkruhen në statistika të tillë. Nënkupton në Manastir t’i mund të jesh gjithçka vetëm shqiptar jo. Më pas kuptova që shqiptarët atje po humbnin gjuhën shqipe, shqiptarët në Manastir e flasin shqipen me shumë pengesa dhe kjo është si pasojë e mungesës së shkollës së mesme shqipe por edhe të literaturës shqip, dhe një bibliotekë e pasuruar me libra shqip do i mbroje shqiptarët atje nga asimilimi dhe mbrojtja e gjuhës anëtare shqipe.
Si ka ecur deri më tani kjo iniciativë, a ka pasur përkrahje të mjaftueshme?
Që nga momenti kur e kam marrë këtë iniciativë përkrahje kam pasur nga gjitha trevat shqiptare, e sidomos nga Kosova. Që nga momenti i parë një shqiptar nga Kosova që jeton në Norvegji ka dhuruar 1000 libra, ky është Bardh Nëngurra që edhe e kam publikuar emrin e tij në rastin e parë. I nderuari të gjithë bibliotekën e tij e fali për qytetin e Manastirit. Citova vetëm një emër por ka shumë. Kosova ka qenë e pa ndalur në mbështetjen e kësaj iniciative. Por nuk kanë munguar as shqiptarët e Shqipërisë duke dhuruar libra. Poashtu dua të përmendi se ndihmë kam pasur edhe nga figura të njohura publike në Shqipëri si Blendi Fevziu i cili e publikoi iniciativën time në insta stori dhe më pas vërshuan edhe më shumë donatorët të interesohen për të ndihmuar.
Çfarë ndryshimesh mendon se do të sjellë kjo bibliotekë në qytetin e Manastirit?
Kjo bibliotekë gjeneratat e reja në radhë të parë do t’i mundësoje të mësojnë me libra të reja dhe libra shqip. Unë nga Shqipëria kam sjellë librat e Historisë, Abetaret dhe librat e gjuhës shqipe. Fëmijët e qytetit të Alfabetit do të mësojnë me abetaret e shtetit amë. Por edhe me librat e historisë dhe gjuhës shqipe. Tre lloje të librave që do jenë faktorë kryesorë për mbrojtjen e identitetit kombëtar. Poashtu Manastiri asnjëherë më parë nuk ka pasur bibliotekë shqiptare, jam shumë optimiste që shqiptarët në Manastir do lexojnë me shumë vullnet të madh atje për ta mbrojtur gjuhën shqipe. Prindërit shqiptar në qytetin e Manastirit më nuk kanë nevojë t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollat fillore në maqedonisht, pasi që shqiptarët kudo që ndodhën ato do t’i mbështesin për të mos i lënë të ndjehen të harruar dhe vetë. Shqiptarët në Manastir nuk janë vetë.
Emira tregon se si do të jetë sistemi i bibliotekës në Manastir dhe gjithashtu se si mund të ndihmojnë gjithë ata që duan të mbështesin këtë iniciativë duke dhuruar qoftë edhe një libër.
Si mund ne dhe të gjithë ata që duan të mbështesin këtë iniciativë të dhurojnë libra deri te ju?
Ato që duan të dhurojnë libra për bibliotekën e Manastirit librat mund t’i sjellin te unë. Librat duhet të sistemohen në mënyrë elektronike që ato të mbrohen. Kam planifikuar që biblioteka e Manastirit të ketë sistemin e njëjtë sikur biblioteka Max Van der Stoel nga Universiteti Europës Juglindore. Poashtu unë në fillim kisha një donator nga Komuna e Haraçinës ishte kompania Palma në lidhje me raftet, por donatori në momentin e fundit u tërhoq, tash unë duhet që vetë t’i përgatis edhe raftet. Deri në përgatitjen e rafteve librat do mblidhen në adresën time në Shkup. Ju kisha lutur të gjithë ato që duan të më ndihmojnë në këtë mision të shenjtë le të dhurojnë qoftë edhe vetëm një libër, pasi që ne qytetit të alfabetit i kemi shumë borxh dhe është momenti të kontribuojmë për këtë qytet të shenjtë dhe për ato shqiptarë që kanë mbetur atje. Faleminderit shumë.