Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka përshëndetur lajmin e votimit nga parlamenti bullgar për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut që hapi rrugën për nisjen e negociatave të anëtarësimit.
Në një postim në Facebook ku ka publikuar edhe një foto me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, Meta ka bërë të ditur se është në pritje të lajmit për fillimin zyrtar të bisedimeve për anëtarësimin në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Më në fund erdhi lajmi i shumëpritur nga Bullgaria mike, që ka qenë gjithmonë një mbështetëse e vendosur e procesit tonë të anëtarësimit.
Votimi nga Parlamenti bullgar për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, hapi rrugën për nisjen e negociatave të anëtarësimit për të dyja vendet tona. Në pritje të lajmit tjetër nga mbledhja e Këshillit Europian, që vijon ende”, ka shkruar Meta. /Telegrafi/