Site icon Telegrafi

Mosvlerësimi i drejtë i personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik, Handikos kërkon shkarkimin e komisionit mjekësor të MF-së

Handikos, ka njoftuar se me shqetësim është duke e vëzhguar procesin e zbatimit të Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik, lidhur me mosvlerësimin e drejtë të këtij grupi nga ana e Komisionit Mjekësor, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës.

Handikos thotë se shumë persona me aftësi të kufizuara janë përjashtuar deri më tani nga lista e pensioneve.

“Këtë problematikë, edhe pas ankesave të shumta nga anëtarët tanë, tash e disa muaj në vazhdimësi e kemi ngritur dhe adresuar te Departamenti i Pensioneve, MFPT, Zyra Ligjore, Komisioni përkatës, Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, si dhe nëpër takimet me presidenten, kryeministrin dhe kryeparlamentarin. Madje kemi kërkuar publikisht edhe shkarkimin e Komisionit aktual Mjekësor, mirëpo deri më tani nuk është ndërmarrë asgjë në ndryshimin e situatës”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, lidhur me këto padrejtësi, me dhjetëra persona janë duke u përballë nëpër gjykata, të cilat përveç që iu kushtojnë materialisht duke angazhuar edhe avokatë, kjo po  iu shkakton edhe maltretim.

Lexo po ashtu GLPS padit Ministrinë e Financave për refuzimin e kompensimit për personin paraplegjik dhe tetraplegjik

Nga ana e Departamentit të Pensioneve, HANDIKOS ka marrë informata se në vitin 2019 kanë qenë 3100 përfitues nga Ligji për Statusin Paraplegjik dhe Tetrapelgjik, ndërsa aktualisht janë vetëm 2470. Prej tyre, vlerësohet se afro 40 kanë ndërruar jetë nga komplikimet shëndetësore, gjë që lë të kuptohet se pjesa tjetër janë eliminuar nga skema e pensioneve, po për shkak të mosvlerësimit adekuat. Ndërsa, llogaritet se në Kosovë jetojnë rreth 4 mijë persona paraplegjik dhe tetraplegjik.

“Duke pasur parasysh se ky grup, janë më të rrezikuarit në mesin e personave me aftësi me të kufizuara, të cilët me anë të pensioneve si mbështetje financiare – si të tillë jo të mjaftueshme, janë të detyruar të mbulojnë gjitha shërbimet si: shëndetësore, rehabilituese, kujdestarë/asistentë, medikamente të përditshme, pajisje dhe materiale për inkontinencë, si dhe materiale për plagë dekubitare”, thuhet tutje.

Handikos thekson se përjashtimi apo mosvlerësimi i drejtë nga komisioni mjekësor është duke e përkeqësuar edhe më shumë gjendjen e tyre.

“Ftojmë akterët kompetentë të veprojnë në një kohë sa më të shpejtë, në mënyrë që ky numër i personave të mos mbesin tutje edhe pa mbështetjen esenciale nga shteti për nevojat e tyre shëndetësore”, thuhet në fund./Telegrafi/

Exit mobile version